"Do t’i rikthehen këtij varianti partitë e mëdha? Do të ishte një zhvillim, që do t’i përkeqësonte gjërat në politikën shqiptare, edhe pse duket se më keq se kaq nuk kanë ku të shkojnë"
Nga Mustafa Nano
Partitë e mëdha kanë lajmëruar tanimë tërë dynjanë se kanë arritur të merren vesh për të filluar reformën zgjedhore, por janë të voglat ato që janë vënë në punë.
U mblodhën dje të tëra dhe dolën me një qëndrim të përbashkët, të cilin do t’ua paraqesin PD-së e PS-së, duke pasur në mendje mjete presioni e vardisjeje ndaj tyre. Edi Rama ka nxituar t’u dërgojë një mesazh nga llogorja e tij “Twitter”, me anë të të cilit u thotë pak a shumë se tek ai do kenë një interlokutor serioz lidhur me këtë argument, por hë për hë ato janë duke shtrënguar radhët mes vedi. Kanë një interes vital për të mbrojtur (është interesi për të mbijetuar në politikën shqiptare). Po të mos ish ky interes, nuk do t’na binte rasti për të parë së bashku Metën e Gjinushin, apo edhe të tjerë me të tjerë. Kanë qenë dhjetë kryetarë partish, Paskal Milo, Skënder Gjinushi, Petro Koçi, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule të opozitës dhe Ilir Meta, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Eqerem Spahiu e Arjan Starova të krahut tjetër, që janë takuar në hotel “Tirana”. Kishim harruar që janë kaq shumë.
Janë marrë vesh mes tyre pa ndonjë zor të madhe duke lënë mënjanë çdo animozitet. Varianti spanjoll i sistemit elektoral qëlloi të ish një plojë e vërtetë për secilin syresh. Pakkush doli i gjallë nga gara, saktësisht vetëm Ilir Meta, Fatmir Mediu dhe Vangjel Dule (i pari luajti rëndë, i dyti hyri në zgjedhje i karikuar nga një katërvjeçar në pushtet, ndërsa i treti fiton gjithmonë ex officio). Të tjerët ishin viktima të kodit të zgjedhur nga Rama e Berisha bash me synimin për t’i varrosur njëherë e mirë. Por në një mënyrë apo në një tjetër, ia kanë dalë mbanë të gjallojnë, e në këto rrethana duan të shmangin me të gjitha mjetet situata të ngjashme me ato të zgjedhjeve të vitit 2009. Një disfatë tjetër në vitin 2013 është baras me vdekjen e tyre përfundimtare. Politike.
Çfarë duan, në thelb? Duan që sistemi elektoral të anojë nga proporcionali, duan që pragu të jetë i ulët, duan më në fund që të rifuten në lojë listat e hapura. Do të bien dakord të mëdhenjtë? Problemi i parë është nevoja për të ndërhyrë në Kushtetutë. Ekziston mundësia që të tria kërkesat të realizohen minimalisht pa ndërhyrje në Kushtetutë, por partitë e vogla do tentojnë të nxjerrin përfitime maksimale nga debati mbi Kodin Zgjedhor që do bëhet nën trysninë e monitorimin e BE-së. E nëse do të vijë puna te kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës, kanë për të ndeshur në rezistencën e Berishës, i cili nuk do dojë ta hapë lojën kushtetuese. Po e hapi, socialistët do t’i thonë: “E hape që e hape, le ta mbajmë edhe pak hapur”. E në këtë mes do të kërkojnë mbështetjen e ndërkombëtarëve për rishikimin e funksionit të Presidentit, apo të institucioneve të tjera shtetërore. Kështu që gjasat janë që t’u pranohen kërkesat në limitet, që ato nuk kërkojnë ndryshime në ligjin themeltar të shtetit.
Nuk duket se të mëdhenjtë janë të interesuar të hapin luftë me aleatët e tyre të vegjël, por të çmuar (disa syresh janë vërtet të çmuar). Përveç kësaj, të mëdhenjtë nuk kanë pse të kundërshtojnë një theks më të fortë proporcional të ligjit elektoral; edhe pragun mund ta ulin pak, por jo aq shumë sa donin ca pjesëmarrës në takimin e sotëm. Pragu në nivelin 1% e 2% don të thotë efektivisht ta hapësh katërkanatash portën e Kuvendit, dhe kjo do të bëhej shkak për krijimin e një Parlamenti të fragmentuar në maksimum, gjë që nuk do ta lakmonte askush (përveç të interesuarve, sigurisht).
Vijmë tani te pika e tretë, e cila, krahasuar me dy të parat, mund të kalojë pa u vënë re. Është fjala për kërkesën e partive të vogla për të rinxjerrë nga arkivi e për të adoptuar variantin e listave të hapura. E dimë tani se ç’janë këto lista. Janë lista kandidatësh, ku fituesi nuk përcaktohet nga renditja paraprake mbi bazën e fuqisë dhe ndikimit politik, por nga renditja e kandidatëve që del nga procesi i numërimit dhe merret vesh se në këtë rast ka rëndësi kush merr vota më shumë. Me fjalë të tjera, dikush mund të jetë i dhjeti në listën paraprake të hartuar nga aparatçikët dhe shefat e partisë, por mund të ketë “talentin” për të mbledhur vota në terren më shumë se të tjerët, dhe mund të dalë i pari. Mund të dalë dhe përpara kryetarit të partisë, apo eksponentëve të tjerë të partisë.
Ku është e keqja? E keqja është që gara elektorale shndërrohet në një garë pasanikësh. Nuk do ketë kuptim pra identiteti programor apo politik i kandidatit, por magjia e tij elektorale, që kuptohet se do të ngrihet kryesisht mbi qesen me para; ose mbi muskujt e namin e të fortit. Madje, kjo është arsyeja që kandidatë të tillë janë të preferueshëm nga partitë e vogla, të cilat fillimisht hapin një fushatë për të identifikuar në terren njerëzit që, krahas parave, kanë dhe qejfin e madh (shpesh interesin e madh) për t’u futur në Parlament. Dhe këtyre u thuhet: “Doni të jeni deputetë? E keni vetë në dorë këtë gjë”. Dhe qari i partisë në këtë mes ka të bëjë më së pari me faktin që votat extra të marra prej gangsterëve pasanikë, edhe kur këta të fundit nuk arrijnë të bëhen deputetë, shkojnë në favor të partisë.
Do t’i rikthehen këtij varianti partitë e mëdha? Do të ishte një zhvillim, që do t’i përkeqësonte gjërat në politikën shqiptare, edhe pse duket se më keq se kaq nuk kanë ku të shkojnë.
"Shqip"