Tiranë, 22 nëntor 2011, NOA – Një ditë pas takimit të partive të vogla, kryetari i PS-së, Edi Rama ka mbledhur në një tryezë aleatët e partisë socialiste. Madje në takim kanë marrë pjesë edhe drejtues të partive, të cilët më herët kanë munguar në tryezat formale apo informale të opozitës, si Vangjel Dule apo Preç Zogaj. Krahas tyre morën pjesë edhe Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Petro Koçi.
Selia rozë, nuk dha asnjë deklaratë zyrtare, por burimet pranë takimit thanë për agjencinë NOA.al se, në qëndër të bisedimeve të kësaj tryeze ka qenë reforma zgjedhore, ku aleatët kanë kërkuar ndryshim të saj.
Rama ka ripërsëritur mbështetjen e tij për partitë e vogla duke ju garantuar një reformë gjithëpërfshirëse. Të hënën, partitë jashtë Kuvendit, të majta e të djathta kërkuan ndryshime të thella në procesin zgjedhor shqiptar, duke nisur që nga sistemi e deri tek numërimi i votave.
a.q/NOA