Tel Aviv, 22 nëntor 2011, NOA – Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, sikundër presidenti Shimon Peres më herët, gjatë takimit të mbëmshëm me kryeministrin Sali Berisha vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë si kontribues i paqes e stabilitetit në rajon, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Dy kryeministrat vlerësuan miqësinë midis dy popujve, e cila më shumë se kurrë doli në pah gjatë luftës së dytë botërore, kur shqiptarët nuk i dorëzuan hebrenjtë e Shqipërisë dhe ata që gjetën strehë këtu, por i mbrojtën duke vënë në rrezik edhe jetën e familjeve të tyre.
Kryeministri Berisha gjeti mbështetje në të gjitha takimet me personalitetet më të larta të shtetit izraelit, për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira politike mes dy vendeve.
Zoti Netanjahu dhe Berisha diskutuan edhe për reformat e qeverive respektive dhe zhvillimet në të gjitha fushat.
Këtu shefi i qeverisë Berisha e njohu Kryeministrin Netanjahu me arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare në fushën e reduktimit të barrës fiskale ndaj biznesit dhe të një qeverisjeje të vogël e pa barriera burokratike, veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, në fushën e energjitikës, reformat e rëndësishme ekonomike e fiskale, arritjet në fushën e arsimit etj.
Kryeministri Netanjahu shprehu vlerësimin e tij të lartë për transformimin e Shqipërisë nga një ndër vendet më të varfra me te ardhura rreth 204 dollarë për frymë në një vend me të ardhura të mesme të larta dhe suksesin e politikave të privatizimit.
Netanjahu shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë së tij për të bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë shqiptare me projekte konkrete në të gjitha fushat.
“Në veçanti ne presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtësisht duke inkurajuar projekte investimesh izraelite në Shqipëri, në fushën e turizmit por edhe në atë të teknologjisë e shkencës”, u shpreh kryeministri i Izraelit.
Gjithashtu u evidentuan edhe fusha të tjera bashkëpunimi si ajo e arsimit dhe kërkimit akademik, teknologjisë së informacionit, bujqësisë, përfshi projektet e ullirit dhe arroreve, sistemit të ujitjes, ndërtimit të veprave të prodhimit të energjisë hidrike etj.
Netanjahu e siguroi Kryeministrin Berisha se qeveria e Izraelit do të inkurajojë sektorin privat të biznesit të suksesshëm izraelit të investojë në Shqipëri duke shfrytëzuar klimën jashtëzakonisht të favorshme të krijuar nga qeveria shqiptare për biznes e investime.
Dy kryeministrat ranë dakord për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës mes të dy vendeve në fushat me interes reciprok.
Më tej ata diskutuan edhe për zhvillimet në rajon e më gjerë.
Kryeministri Berisha ftoi Kryeministrin Netanjahu për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit.
mit/NOA