English

Një tubim për mbrojtjen e kafshëve

Tiranë, 22 nëntor 2011, NOA – Në një vend demokratik që aspiron të anëtarësohet në BE përveç të Drejtave të Njeriut duhen respektuar edhe të Drejtat e kafshëve.

Organizata e Mbrojtjes së të Drejtave të Kafshëve në Shqipëri (ARA) dhe një rrjet i gjerë personash, që shqetësohen për të drejtën universale të jetës do të tubohen të mërkurën më 23/11/2011, ora 13:00 në një manifestim para Bashkisë së Tiranës.

Kjo organizatë synon të rrisë ndjeshmërinë kundër vrasjes masive të qenve të rrugës, të cilët shfarosen në mënyrat më barbare nga ato autoritetet, që kanë për detyrë administrimin civil të jetës së një qyteti.

Organizata bën me dije se është pikërisht mungesa e dhembshurisë njerëzore, e respektit për jetën, dhe e bazave më minimale të qytetarisë, që i shtyn të reagojnë me vendosmëri ndaj këtij fenomeni.

“Pjesëmarrja e të gjithë atyre që i revolton ky akt, apo thjesht u ngjall keqardhje, është e domosdoshme për të nxitur ndërgjegjësimin publik dhe për të ushtruar presion mbi institucionet, në mënyrë që ato të mos sillen barbarisht. Pushkatimi i kafshëve me armë zjarri deri te eliminimi me anë të djegies janë praktika të llahtarshme që nuk identifikohen me asnjë kulturë njerëzore apo qytetërim që vlen të përmendet”, deklarojnë përfaqësuesit e organizatës në mbrojtje të kafshëve.

Sipas organizatës praktikat barbare të sjelljes ndaj kafshëve mund të gjenden vetëm në historitë më tronditëse të historisë njerëzore.

Ata kërkojnë bashkëpunim me institucione të ndryshme publike apo jofitimprurëse, për të gjetur zgjidhje humane, ndërkohë që masat aktuale janë tmerrshme dhe tërësisht jonjerëzore, kur ekzistojnë alternativa të shumta për zgjidhjen e këtij problemi.

“Një vend i cili aspiron të hyjë në Bashkimin Europian, mjafton t’i kthejë sytë nga përvoja e këtyre vendeve, për të gjetur zgjidhje, dhe jo t’i mëshojë metodave masakruese të cilat fatkeqësisht reflektojnë një mentalitet primitiv dhe të papërgatitur për t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar”, bëjnë me dije aktivistët në mbrojtje të kafshëve.

mit/NOA

KOMENTE