English

Parashikimi i motit për 22 nëntor 2011

Tiranë, 21 nëntor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, një sistem i fuqishëm vranësirash është vendosur në të gjithë vendin duke gjeneruar shira si fillim në bregdet e më pas duke u shtrirë në të gjithë territorin shqiptar ndërsa në zonat malore do të ketë reshje të pakta dëbore, kjo për shkak të temperaturave nën zero gradë. Gjatë orëve të mesditës do të kemi shtim të intensitetit të shirave në veri dhe qendër të vendit ndërsa jugu do të ketë shira në sasi më të pakta.

Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me shira të konsiderueshëm në veri dhe veriperëndim por edhe qendra e territorit do të dominohet nga vranësira dhe shira me intensitet më të ulët ndërsa jugu do të ketë shira të dobët e lokalë. Gjatë natës për shkak të rënies së temperaturave, reshjet në zonat e larta malore do të bien në formë dëbore. Me mot të paqëndrueshëm do të mbetemi deri në mëngjesin pasardhës.

Për sa i përket situatës termike temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në vlerat e mëngjesit ndërsa mesdita do të sjellë rënie me 3 gradë të temperaturave në të gjithë vendin.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi 45 km/h dhe drejtim verilindor duke bërë që në Adriatik dhe Jon dallgëzimi të arrije deri në 3 ballë.

Europa

Nesër, Europa jugperëndimore dhe Pellgu i Mesdheut do të jetë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike. Me vranësira dhe reshje shiu do të mbeten vendet e Gadishullit Iberik ku reshje të dendura shiu do të bien në Jug të Spanjës dhe të Francës duke bërë që disa zona të banuara të rrezikohen për përmbytje. Gjithashtu në zonat malore të këtyre vendeve do të ketë edhe reshje dëbore. Problematike në këto vende do të mbetet era e fortë e cila do të bëjë që deti të jetë i trazuar. Ndërsa gjatë mesditës vranësirat do të zhvendosen drejt Pellgut të Mesdheut duke bërë që edhe këtu reshjet të bien në formë rrebeshi. Reshje më të dendura shiu do të përjetojnë Italia dhe Ballkani Qendror sidomos Mali i zi. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit Europian do të karakterizohet nga moti i qëndrueshëm pra nga kthjellimet dhe vranësirat e herë pas hershme.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Italia do të rrezikohet për rrebesh shiu dhe dallgëzim në detin Mesdhe

- Ballkani do të rrezikojë për rrebesh shiu dhe dëborë

- Jugu i Francës do të rrezikohet për rrebesh shiu dhe përmbytje

a.y/NOA

KOMENTE