Bruksel, 22 nëntor 2011, NOA – Prishtina dhe Beogradi duket se kanë arritur edhe një marrëveshje tjetër gjatë bisedimeve të tyre në Bruksel, atë për njohjen e ndërsjelltë të diplomave, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Lajmin e bënë me dije burime diplomatike nga Brukseli, të cilët nënvizuan se gjatë dialogut të rinisur pas tre muajsh ndërprerje palët janë pajtuar rreth njohjes së ndërsjellë të diplomave universitare, shkruan Koha.net.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe praninë e përfaqësuesit të SHBA-ve vijon sot në ditën e dytë të tij.
Në pritje për t’u diskutuar në tryezë janë telekomi dhe energjia.
Ndërkohë, siç edhe u paralajmërua në krye të raundit të shtatë të negociatave, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri pritet të hapë në tryezë edhe çështjen mbi menaxhimin e integruar të kufirit.
Gjatë ditës së parë të takimit zëvendëskryeministrja e Kosovës, insistoi që të gjitha marrëveshjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Por, kjo duket se nuk është pranuar nga kryenegociatori serb Borisllav Stefanoviç, pasi sipas tij është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.
Stefanoviç deklaroi gjatë takimit se mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka kufij, pasi sipas tij, Kosova nuk është shtet.
mit/NOA