English

Zjarri masiv te tregu ushqimor, arrestohet autori

Tiranë, 22 nëntor 2011, NOA – Policia e Tiranës arrestoi një 26-vjeçar nën akuzën se dje i vuri zjarrin nga pakujdesia një dyqani duke shkrumbuar totalisht 20 dyqane të tjera në tregun ushqimor, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

26-vjeçari Hajri Jashar Dragjoshi, lindur në fshatin Vilë Kukës dhe banues në Tiranë dyshohet se dje rreth orës 16.20’, në rrugën “Konferenca e Pezës“, në afërsi të tregut ushqimor, pasi ka ndezur një fishekzjarr në dyqanin e tij, nga pakujdesia flakët janë përhapur me furi duke djegur një pjesë të dyqaneve që tregtonin mallra shumice në tregun ushqimor.

Autori e ka pranuar faktin se ishte duke luajtur me fishekzjarre në dyqanin e tij, duke pranuar se flakët e përhapura ndodhën për shkak të pakujdesisë, duke shkrumbuar edhe dyqanin e tij bashkë me 20 të tjerët.

Policia përmes një deklarate bën me dije se për shuarjen e flakëve dhe lokalizimin e tyre nga magazinat e fishekzjarreve ndihmuan edhe zjarrfikëse të mbërritura nga qyteti i Durrësit, Ministria e Mbrojtjes, si dhe mjete të tjera nga Bashkia e Tiranës.

Paraprakisht nga ekspertët xhenierë në vendngjarje u dyshua se shkak i këtij zjarri të fuqishëm kishte qenë një shkëndije elektrike.

Blutë sqarojnë se rreth orës 19.00’ u mundësua shuarja përfundimisht e flakëve të magazinës dhe dyqaneve përreth, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz për shkak se edhe banorët e zonës u evakuuan.

mit/NOA

KOMENTE
  • Gezim Skura12:09 - 22 Nëntor 2011
    edhe ai nuk ka faj se jane te pa kontrolluar e normale qe te djegin e te vejne zjarrin me keta mallera ne shqiperi duhet shum kujdes