English

Zjarri te fishekzjarrët, dëme serioze dhe për 60 biznese të tjera

Tiranë, 21 Nëntor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj Update – Pasi është normalizuar situata pranë Qytetit të Nxënësve në kryeqytet, dalin bilancet e para të zjarrit që shpërtheu sot pasdite në një magazinë me fishekzjarrë të importuar këto ditë për shitje me rastin e festave të fundvitit.

Në vendngjarje konstatohet lehtësisht se dëmet në këtë objekt janë të shumta dhe ende nuk ka një bilanc edhe pasi flakët u lokalizuan ndërsa ishin shtrirë në dhjetëra biznese aty pranë si dhe në banesa.

Gjatë 3 orëve të zjarrit, pamje të të cilit shihni në foto, trafiku u rëndua shumë pranë shkollës Hoteleri Turizëm tek Qyteti i Nxënësve, për shkak të flakëve kaotike, të cilat u stimuluan edhe nga era si dhe shpërndarja për shkak se fishekzjarrët kanë krijuar shpërthime të njëpasnjëshme.

Një banesë pranë magazinës u përfshi po ashtu nga zjarri. Sakaq, rreth 60 njësi tregtare po ashtu u gjendën nën flakë duke pësuar dëme serioze.

Në rrezik u gjend një pikë shitjeje karburanti dhe bombolash gazi që ndodhet vetëm 20 metra larg vatrës së zjarrit. Aty u ndërpre shitja dhe u evakuua personeli.

Po ashtu evakuim iu bë të gjithë zonës së emergjencës, madje policia nuk po lejon asnjë biznesmen të afrohet në dyqanet e tyre për të mos iu ekspozuar rrezikut eventual.

Në vendngjarje shkuan zyrtarë të lartë policie e po ashtu ministri i Brendshëm Bujar Nishani si dhe deputeti socialist Saimir Tahiri.

Gjashtë makina zjarrfikëse, disa prej të cilave mbërritën edhe nga Durrësi, Rrogozhina dhe Lezha, punuan intensivisht për shuarjen e flakëve.

a.y/NOA

KOMENTE