Tiranë, 21 nëntor 2011, NOA/Arjola Ymeraj- Zjarri i fuqishëm i cili përfshiu fabrikën e fishekzjarreve në zonën e kryqëzimit të Unazës së Re në Tiranë te Tregu Ushqimor, është vënë nën kontroll.
Korrespodenti i agjencisë së lajmeve NOA.al në vendngjarje bën me dije se në vend për të kontrolluar punën e forcave zjarrfikëse mbërritën Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Agron Kuliçaj, 2 nënkryetarët e bashkisë, Edmond Panariti dhe Jorida Tabaku, ndërsa zv.Ministri i Brendshëm Ferdinand Pone drejtoi operacionin krahas deputetëve të zonës.
Ndërkaq nga të dhënat paraprake që jep korrespodenti i agjencisë së lajmeve NOA.al, mësohet se pistat paraprake në të cilat po heton grupi i ngritur për këtë rast, nisin nga një shkëndijë elektrike e cila është pretendimi i pronarit të fabrikës, te një zjarrvënie për arsye konkurrence për shkak se tregu ushqimor në të cilën ishte edhe vatra e zjarrit është një nga më të mëdhenjtë në kryeqytet.
Gjithsesi do të jetë policia ajo që në një variant zyrtar të sajin do të japë versionin përfundimtar për ngjarjen, ndërsa Prokuroria do të zbardhë plotësisht nën shkrumbin e lënë pas nga zjarri, motivet që futën në ankth për një pasdite të tërë kryeqytetin.
Fatmirësisht pas rreth 3 ore punë, falë ndërhyrjes së forcave të shumta zjarrfikëse të cilat mbërritën nga Durrësi, Kavaja e Lezha krahas atyre nga kryeqyteti, u vunë nën kontroll flakët e zjarrit si dhe u ndalën shpërthimet e lëndëve plasëse, ndërsa mësohet se janë të shumta bizneset përreth fabrikës së fishekzjarrëve që morën flakë, ndërsa flitet për 25 të tillë krahas një banese.
Gjithsesi fatmirësisht u mbajt nën kontroll nga forcat zjarrfikëse pika e karburantit dhe dyqani i bombolave të gazit të cilat ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit, ndërsa pavarësisht përmasave të mëdha të zjarrit nuk pati të lënduar.
Nga të dhënat paraprake thuhet se shkak për rënien e zjarrit mendohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike në fabrikë.
Në fjalën e mbajtur për mediat zv.Ministri i Brendshëm Ferdinand Poni tha se, “Është zhvilluar një operacion i shpejtë, që bëri që zjarri të lokalizohej, ndërsa 25-30 mjete zjarrfikëse dhe autobote apo mjete të tjera u vunë në operacion, zjarri është drejt shuarjes përfundimtare. Ekspertët janë porositur ta shohin nga afër vatrën e zjarrit”.
Ndër të tjera zv.ministri Poni shprehu një falënderim të veçantë për forcat zjarrfikëse që morën pjesë në këtë operacion, ashtu si dhe kanë uruar qindra qytetarë.
a.y/NOA