English

Zjarri te fishekzjarrët, normalizohet situata

Tiranë, 21 Nëntor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Është normalizuar situata pranë Qytetit të Nxënësve në kryeqytet pas zjarrit që shpërtheu sot pasdite në një magazinë me fishekzjarrë të importuar këto ditë për shitje me rastin e festave të fundvitit.

Ndërsa dëmet në këtë objekt janë të shumta dhe ende nuk ka një bilanc, flakët janë lokalizuar pasi ishin shtrirë edhe në disa biznese aty pranë si dhe në banesa.

Gjatë 3 orëve të zjarrit, trafiku është rënduar shumë pranë shkollës Hoteleri Turizëm për shkak të flakëve kaotike që u stimuluan edhe nga era si dhe shpërndarja për shkak se fishekzjarrët kanë krijuar shpërthime të njëpasnjëshme.

Një banesë pranë magazinës është përfshirë po ashtu nga zjarri. Sakaq, katër njësi tregtare po ashtu u gjendën nën flakë.

Në rrezik u gjend një pikë shitjeje karburanti dhe bombolash gazi që ndodhet vetëm 20 metra larg vatrës së zjarrit. Aty u ndërpre shitja dhe u evakuua personeli.

Po ashtu evakuim iu bë të gjithë zonës së emergjencës, madje policia nuk po lejon asnjë biznesmen të afrohet në dyqanet e tyre për të mos iu ekspozuar rrezikut eventual.

Në vendngjarje shkuan zyrtarë të lartë policie e po ashtu ministri i Brendshëm Bujar Nishani si dhe deputeti socialist Saimir Tahiri.

Gjashtë makina zjarrfikëse, disa prej të cilave mbërritën edhe nga Durrësi, Rrogozhina dhe Lezha, punuan intensivisht për shuarjen e flakëve.

a.y/NOA

KOMENTE