English

Berisha fton bizneset izraelite të investojnë në Shqipëri

Tel Aviv, 22 nëntor 2011, NOA- Kryeministri Berisha në ditën e tretë të vizitës në Izrael, mori pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Izrael-Shqipëri, organizuar në Tel Aviv, nga Federata Izraelite e Dhomave të Tregtisë, bashkë me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha bëri një paraqitje të zhvillimit ekonomik të vendit, fushave prioritare të zhvillimit dhe potencialeve të mëdha që ofron për investitorët. Kryeministri ftoi sipërmarrësit izraelitë të investojnë në Shqipëri, duke përfituar nga barra fiskale më e ulët në Europë dhe klima shumë e favorshme e biznesit. “Sot, jemi një nga qeveritë me ndërhyrjen më të vogël ndaj bizneseve, në botë. Ne renditemi shumë lartë në disa procedura burokratike, siç janë regjistrimi i biznesit, licencat dhe lejet dhe, nëse vitin e kaluar liria ekonomike në botë pati një frenim, në Shqipëri u rrit me 16 për qind. Ju mund ta regjistroni biznesin tuaj për 1 euro, në 30 minuta”, u shpreh Berisha duke theksuar se Qeveria e tij është e taksave të ulëta.

Sipas tij, Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme për t’i ofruar çdo investitori.

Ai tha se vendi ynë është i vetmi vend që mund të bëhet tërësisht një prodhues dhe eksportues i energjisë së rinovueshme në rajon.

Ndër të Kryeministri Berisha tha se, “Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Kur fluturoni sipër vendin tim, gjëja e parë që të vjen në mendje është Zvicra pranë detit. Bregdeti ynë është më i mrekullueshmi që kam parë ndonjëherë. Adriatiku është më ranori, Joni është shkëmbor, me ujëra madhështore. 92 për qind i të gjithë bregdetit tonë duhet zhvilluar dhe ai po pret. Projekti ynë është: së pari resortet turistike, zonat rezidenciale. Ne kemi nevojë për zonat rezidenciale, sepse duam ta kthejmë kombin nga deti. Dhe kjo po funksionon. Por Shqipëria është një vend shumë i pasur në minerale. Ka rezerva botërore në krom, nikel, hekur-nikel, bakër dhe shumë kompani po punojnë në vendin tim”.

Berisha u tha biznesmenëve se është i vetëdijshëm se në Shqipëri, rruga ende nuk është një bulevard, por i siguroi ata se po punohet shumë për ta përmirësuar sa më shumë që mundet.

Sipas tij, ndonëse është kohë krize europiane e botërore, Shqipëria nuk ra në recesion, çka ai e argumentoi me fjalët, “për shkak të taksave të ulëta, për shkak të investimeve të shumta”.

Në Forumin Ekonomik Izrael- Shqipëri merrnin pjesë 22 kompani izraelite dhe 35 kompani shqiptare.

a.y/NOA

KOMENTE