Tiranë, 23 nëntor 2011, NOA – Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka ofruar mbështetje për forcimin e rolit të gruas në polici dhe përfaqësim të denjë të saj në të gjitha strukturat, deri në terren. Duke marrë pjesë në ceremoninë e krijimit të sindikatës së gruas në policinë e shtetit, Burgaj theksoi se tashmë gratë do të gjenden kudo ku ka nevojë policia, edhe në strukturat më speciale si në rastin e forcave RENEA, ku së fundi ka aplikuar edhe një femër. “Kjo është kënaqësi e veçantë, do të keni të gjithë përkrahjen e duhur për tu bërë pjesë e vërtetë e operacioneve të tilla dhe drejtimi juaj do përqëndrohet drejt terrenit, atje ku komuniteti shikon, ku ju me aftësitë tuaja dini të komunikoni më me etikë nga gjithë të tjerët”, tha Burgaj. Ai ka garantuar përkrahjen për të shtuar radhët dhe për të arritur përqindjet e organizatave të tjera, duke shtuar se dy vitet e fundit janë pranuar 132 femra në polici.
“Numri duhet të vijë në rritje dhe organizata e policisë do marrë fizionominë që i takon. Ju ftoj të luftojmë mentalitetet e vjetra për t`iu shmangur terrenit, gra duhet të ketë në kufi, në rend, qarkullim rrugor, gjithandej”, theksoi ai. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Ëollfarth ka theksuar se barazia gjinore në polici është një model i cili ka shërbyer edhe si shembull për institucionet e tjera.Ai ka shtuar se krijimi i sindikatës së grave të policisë do të bëjë të mundur arritjen e një ekulibri dhe do të bëjë të mundur edhe një shërbim më të mirë të policisë në shërbim të komunitetit.
a.q/NOA