Milano, 22 nëntor 2011, NOA- Një 22 vjeçar shqiptar i duhet të përgjigjet para drejtësisë italiane për tentativë vjedhje dhe plagosjen e një polici.
I riu në fjalë u kap në flagrancë nga policia pasi ishte duke hapur me dhunë së bashku me një tjetër derën e një vile.
Një makinë policie me disa efektivë brenda të cilët ishin në krye të detyrës teksa patrullonin, vunë re dy djem të cilët po shpërthenin me forcë bravën e një dere dhe po thyenin një dritare, për të hyrë brenda.
Por sapo pikasën praninë e policisë, dy hajdutët tentuan arratinë, por vetëm njëri prej tyre arriti të largohej.
Ndërkaq 22 vjeçari tentoi me çdo kusht të shpëtojë nga duart e policisë dhe në tentativë e sipër plagosi me thikë njërin nga punonjësit e policisë, në krahun e djathtë.
Lidhur me këtë rast, policia italiane sqaron se i riu me precedent penal u vu në pranga ndërsa u dërgua në ambientet e paraburgimit.
a.y/NOA