English

Familja e Skerdilajd Konomit: Po na zvarrisin hipotekimin e pronave në Hamallaj

Vlorë, 23 nëntor 2011, NOA Update – Afro tre muaj nga atentati me eksploziv në qendër të Vlorës, ndaj gjyqtarit civil, Skerdilajd Konomi, një nga atentatet ekzemplar të shënuara ndaj drejtësisë shqiptare, vrasja e gjyqtarit nuk ka ende një autor.

Në këto kushte familja e gjyqtarit të vrarë në mënyrë mafioze i ka dërguar një letër të hapur medias, ku kërkon të përditësojë zhvillimet më të fundit të hetimit, duke deklaruar se çështja ka mbetur në vend numëro dhe se nuk ka asnjë rezultat shpresëdhënës.

Duke iu referuar hetimit, familja Konomi bën me dije se çdo ditë e kaluar jep përshtypjen e një çështjeje, që po kërkohet të mbyllet kështu, pa zbardhur asnjë të vërtetë rreth atentatit të pashembullt, që tronditi jo vetëm Vlorën në mes të ditës, por edhe vetë drejtësinë shqiptare.

“Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja e Skerdilajdit, një funksionar i lartë i shtetit shqiptar, e megjithatë familjes nuk i është transmetuar asnjë rezultat shpresëdhënës. Jemi të ndërgjegjshëm që hetimet kanë kohën e tyre, por megjithatë pas çdo dite, që kalon na duket sikur largohemi nga e vërteta”, shkruhet në letrën e familjes Konomi.

Në këtë suazë ata përforcojnë deklaratën e tyre, duke theksuar se, përpjekjet e tyre për hipotekimin e pronave të ligjshme po zvarriten me ca procedura burokratike dhe me vështirësi, që cënojnë deri edhe afatet ligjore të hipotekimit.

Familja Konomi thotë se pala kundërshtare, me të cilat përballet për pronat në Hamallaj të Durrësit, edhe pse i kishte falsifikuar dokumentat e pronësisë, i kishte madje të regjistruara dhe me vula të Arkivit të Shtetit.

Trashëgimtarët e familjes Konomi po vijojnë gjyqin e nisur nga gjyqtari i ndjerë Skerdilajd Konomi për pronat e trashëguara nga e ëma e tij, trashëgimtare e familjes Shallvari, kundër një pale tjetër, që pretendon me të padrejtë pronë, aty ku i takon ligjërisht familjes Shallvari.

Pikërisht kjo duket se është edhe pista e errët, ku po kalon hetimi i atentatit me eksploziv në makinë, ku gjeti vdekjen në mënyrë të tmerrshme, gjyqtari Skerdilajd Konomi, mëngjesin e 9 shtatorit në mes të qytetit të Vlorës, ndërsa po shkonte për në punë.

Familja Konomi i bën apel mediave të hetojnë mbi këtë çështje, në mënyrë që, hedhja në erë e përfaqësuesve të drejtësisë apo edhe e njerëzve të thjeshtë të mos mbetet pa autor.

mit/NOA

Lexoni letrën e plotë të Familjes Konomi:

Me anë të kësaj letre, Familja Konomi dëshiron t'ju përditësojë me zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen akoma të hapur të vrasjes së familjarit tonë të dashur dhe njëkohësisht edhe të procesit të hipotekimit të pronave.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja e Skerdilajdit, një funksionar i lartë i shtetit shqiptar, e megjithatë familjes nuk i është transmetuar asnjë rezultat shpresëdhënës. Jemi të ndërgjegjshëm që hetimet kanë kohën e tyre, por megjithatë pas çdo dite që kalon na duket sikur largohemi nga e vërteta. Kjo ide përforcohet edhe më shumë ndërsa përballemi me vështirësi të shumëllojshme dhe të panatyrshme në përpjekjet tona për të hipotekuar pronat që na përkasin me ligj, procedura të cilat zvarriten deri në pikën e skadencës së çdo afati ligjor. Si është e mundur që në Shqipëri nuk zbatohet as vendimi i Gjykatës së Lartë? Nuk e kuptojme pse-në? Kush fshihet pas kësaj? Pse shteti vetë na nxjerr pengesa? Nuk e kuptojmë pse Drejtoria Rajonale e Hipotekave në Durrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Hipotekave nuk duan të firmosin dokumentat, të cilat janë të rregullta ligjërisht dhe të njohura edhe nga Gjykata e Lartë. A nuk është ky një shembull i pashoq i abuzimit me pushtetin, në një kohë që dokumentet e palës kundërshtuese rezultuan se ishin totalisht të falsifikuara, ndonëse të regjistruara edhe në institucione si Arkiva e Shtetit? Avokatura e shtetit dhe gjykatat vazhdojnë gjyqe mbi këto dokumente false të palës kundërshtare, ndërsa përpjekjet tona për hipotekim kanë dështuar dy herë deri tani. Të thyer nga dhimbja e humbjes së njeriut tonë të dashur, por edhe të indinjuar nga mungesa e seriozitetit dhe transparencës së organeve kompetente, Familja Konomi e ka çdo ditë e më të vështirë të besojë që jetojmë në një vend ku mbretëron e vërteta dhe ligji, e jo mashtrimi dhe mafia. Çdo ditë e më pak e ndjejmë mbështetjen ligjore, që i takon çdo individi në mënyrë të barabartë. Kërkesa jonë për median, si një nga mundësitë e vetme për të sensibilizuar opinionin publik, por edhe vullnetin qeveritar, është të hetoni mbi këtë çështje dhe të ushtroni të gjithë presionin e mundshëm, që ngjarje të tilla si hedhja në erë apo djegia e gjallë e zyrtarëve publikë të mos mbetet pa autorësi dhe pa të ndëshkuar, në mënyrë që në këtë vend të mos fuqizohet pushteti i mafias, por të rivendoset drejtësia.

KOMENTE