Vjenë, 22 nëntor 2011, NOA- Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj është pritur sot në takim nga zëvendëskancelari dhe ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Michael Spindelecker.
Politikani austriak ka garantuar se Austria do i japë ndihmë dhe mbështetje Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Europian si dhe në shtimin e njohjeve.
Nga ana e tij Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e marrjes së udhërrëfyesit nga Bashkimi Europian, që do të mundësonte hapjen e një kapitulli të ri në lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës.
“Austria gjithmonë ka përçuar sinjale në përkrahje të Kosovës, përkrahim këtë shtet të ri në Ballkanin Perëndimor, ajo që vlen sot për fqinjët e saj, duhet të vlej një ditë për Kosovën. Tek çështja e vizave, përfundimi duhet të jetë që kosovarët të udhëtojnë në gjithë Europën pa viza. Ky është një sinjal shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, dhe rruga deri atje duhet të përshkohet me përmbushjen e kritereve, por edhe gatishmërinë e Europës për këtë proces”, u shpreh Spinddenlecker pas takimit.
a.y/NOA