English

Kontrolli i armëve, Wollfarth: Shqipëria, ka treguar vullnet të plotë

Tiranë, 22 nëntor 2011, NOA- Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth në fjalën e mbajtur në simpoziumin për kontrollin e armëve tha se, çështja e kontrollit të armëve është një çështje me një rëndësi shumë të madhe.

Ai tha se, OSBE-ja është, para së gjithash, një organizatë rajonale për sigurinë, që merret me çështje të sigurisë, duke nxitur një mirëkuptim më të madh rajonal.

“Të gjitha armët përbëjnë një rrezik të mundshëm, ato vënë në rrezik sigurinë individuale dhe atë kolektive. Kjo është arsyeja pse OSBE-ja, që në fillimet e veta ka miratuar një sërë dokumentesh që i ndihmojnë Shtetet pjesëmarrëse të arrijnë një mjedis të sigurt përmes mjeteve dhe metodave të kontrollit të armëve. Përveç kësaj, në zonën e OSBE-së, nuk mund të flitet për kontrollin e armëve pa përmendur dy mjete shumë të rëndësishme: Traktatin e vitit 1990 për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë dhe Traktatin e vitit 1992 për Qiejt e Hapur”, u shpreh Wollfarth.

Wollafarth theksoi se, kontrolli i armëve mbetet i rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si një çështje politiko-ushtarake.

Sipas ambasadorit të OSBE-së, që prej hyrjes së saj në OSBE, në vitin 1991, Shqipëria ka miratuar të gjitha dokumentet e OSBE-së që shtrojnë rrugën drejt një kontrolli më të madh të armëve dhe duke bërë këtë, Shqipëria ka treguar një vullnet të qartë politik për të marrë përsipër me seriozitet përgjegjësitë e saj në këtë fushë.

a.y/NOA

KOMENTE