Seul, 23 nëntor 2011, NOA - Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, në vazhdim të vizitave zyrtare në Azi, vizitoi sot Republikën e Koresë së Jugut dhe pati një takim të veçantë me homologun e tij Kim Sung-hwan. Në takim u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, si dhe mbi zhvillimet në rajonet respektive.Haxhinasto vlerësoi progresin e arritur nga Republika e Koresë, duke veçuar atë në fushën ekonomike dhe theksoi se modeli korean përbën një model që duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera në zhvillim.
“Bashkëpunimi midis dy vendeve duhet të zhvillohet më tej”,tha Haxhinasto dhe veçoi si fusha prioritare: energjinë, turizmin, burimet minerare, energjinë e rinovueshme, etj.
Me të njëjtën rëndësi, u konsiderua nga bashkëbiseduesit edhe organizimi i forumeve të përbashkëta të biznesit. Në vazhdim, Ministri Haxhinasto përsëriti ftesën për biznesin korean që të vijë dhe të investojë në Shqipëri, sepse kështu investojnë në një rajon që në të ardhmen do të jetë pjesë e tregut të Bashkimit Evropian..
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm korean Kim Sung-hwan tha se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë njohur zhvillime të rëndësishme, por duhet të forcohen edhe më tej në të ardhmen.
“Duke patur parasysh se çdo vit janë rreth 15 milion turistë koreanë, një pjesë e të cilëve kanë Evropën si destinacion turistik, madje edhe vende afër Shqipërisë, futja e Shqipërisë në itineraret e tyre turistike duhet të jetë pjesë e agjendës sonë të përbashkët”, tha Kim Sung-hwan.
a.q/NOA