Nga Bujar Hudhri
Javën e kaluar, në disa gazeta të Tiranës dhe të Prishtinës, Agim Vinca ka kritikuar librin “Kohë e pamjaftueshme” të Helena Kadaresë dhe nëpërmjet tij, vetë Kadarenë. Kritika, siç e tregon ai vetë, merr shkas vetëm nga dy faqet ku përshkruhet një takim i tij me zonjën dhe zotin Kadare, në shtëpinë e tyre, në Durrës, në verë vitit 2005. Gjëja e parë që të shkon në mendje për një libër prej më shumë se 700 faqesh, ku jepet një tablo e pasur e jetës kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë dhe Kosovës për gati gjysmë shekulli, dy ose tri faqe nuk janë të mjaftueshme për ta quajtur këtë libër një bestseller në kuptimin e keq të fjalës, për të mos thënë edhe një skandal publik, siç shkruan ky zotëri. Veç kësaj, pa dashur ta fyej, dua të them se zoti Vinca nuk është kaq i rëndësishëm, saqë saktësia e një dialogu me të, të përcaktojë vlerat e një libri si ky. Dhe të përmbysë një periudhë tridhjetë-e-ca-vjeçare të punës së tij, ku siç shkruan, “kisha lejuar dhe udhëhequr në cilësinë e mentorit me dhjetëra punime diplome, magjistrature e doktorate për veprën e tij të gjerë dhe të larmishme (disa ende janë në proces)”. Por, së pari duhet të sqaroj lexuesit se për çfarë arsye unë po replikoj me z. Vinca. Këtë e shpjegon më mirë vetë autori i shkrimit kur thotë se: “Ishte një bisedë krejt normale, madje edhe e përzemërt, me një mospajtim të lehtë për ndonjë çështje të veçantë, madje më shumë se me vetë Kadarenë, me botuesin e tij”. Disa paragrafë më poshtë, një variant tjetër i autorit. Pra, pas një atmosfere të tillë harmonioze mes tij dhe z. Kadare, ndërsa flet me botuesin, kujtohet të thotë se: Ndërkohë, në vilën e Kadaresë ka arritur botuesi i tij, Bujar Hudhri, i cili i bashkohet kuvendit. Nuk e di a kishte qenë atypari, apo ia behu nga Tirana, por tani edhe ai ulet me ne rreth tryezës dhe bëhet pjesë e bisedës, duke e trazuar paksa rrjedhën e saj përgjithësisht të qetë. Duke dashur t’ia mbajë anën Kadaresë, Hudhri ndërhyn në bisedë pa takt. “Ti flet kështu, sepse e ke inat Rugovën!” – më drejtohet mua. Pikërisht me këto fjalë! Me fjalë të tjera, zoti Vinca me zotin Kadare po zhvillonin një bisedë shumë normale kur mbërriti “prishësi i paqes”, botuesi i tij. Shkrimi i zotit Vinca ka disa kontradikta të tilla, fakte që bien në kundërshtim me njëri tjetrin. Për t’ia bërë të qartë lexuesit se çfarë ka ndodhur, dëshiroj të jap në fillim, fare shkurt, versionin tim, si i pranishëm në atë takim: Në verë të vitit 2005, në vilën e Kadaresë, te Mali i Robit, ka ardhur A. Vinca me një mikun e tij kosovar, z. N. Kryeziu. Ka qenë një vizitë e papritur e tyre, siç e shpjegon vetë A. Vinca, ndërsa unë shkoja si çdo herë, tek autorët e mi Helena dhe Ismail Kadare, dhe jo siç kërkon të më ironizojë Vinca me fjalët “nuk e di a kishte qenë atypari apo ia behu nga Tirana”. Në fund të bisedës ishim të gjithë ulur, kur z. Vinca, i trimëruar, siç thotë me gojën e tij, duke përfituar nga kjo “klimë”, ngaqë atë ditë Kadareja jo vetëm që nuk shfaqi shenja nervozizmi, por, përkundrazi, m’u duk më i butë e më tolerant se ç’e prisja, i drejtohet Kadaresë, në lidhje me Qosjen: “Ju jeni dy majat e kombit, ju jeni dy baballarët e kombit!”. Janë fjalët e Vincës! Që i dëgjuam të gjithë: Helena dhe Ismail Kadare, Naim Kryeziu dhe unë. Pastaj vjen epilogu i përshkruar nga Helena. Zemërimi i Kadaresë, mbarimi i dialogut dhe përcjellja e miqve nga ana ime. Pasi u ndava me ta, z. Naim Kryeziu më thirri sikur të kishte harruar diçka. E kam para syve si sot portretin e tij, tronditjen nga çfarë pa e dëgjoi. “I thuaj zotit Kadare, – m’u lut, – se unë nuk ndaj të njëjtin mendim me Agim Vincën”. M’u kujtua ky episod këto ditë, pasi lexova shkrimin e z.Vinca. I telefonova z. Kryeziu në Zvicër, ku edhe jeton. “E mban mend, – i them, – takimin në vilën e Kadaresë?” Jo dhe aq, isha i shpërqendruar, thotë. Po fjalët që m’u lute t’ia thosha Kadaresë, se nuk ishe në një mendje me Vincën? Hesht pak, ndiej një psherëtimë dhe fjalët, s’di ç’të them, s’më kujtohet. Për herë të dytë bie viktimë e z. Vinca, dhe me siguri nuk do të vazhdojë më tej kjo farsë e bashkudhëtarit të tij. E mbyll telefonin. Naim Kryeziun e lë përballë ndërgjegjes së vet dhe çiftit Kadare, që ishin mikpritësit e tij. Dhe ja versioni që jep në kujtimet e saj, zonja Kadare: “Na kishte ardhur Agim Vinca, një nga dishepujt e Qosjes, për të bërë, si të thuash, ’pajtimin’. Shoqërohej nga botuesi B. Hudhri dhe një shqiptar nga Zvicra. Is, me sa duket, ishte në orët e tij jo të mira, ose u acarua qysh në frazat e para, kur Vinca nisi të thoshte që nuk ishte mirë që ata të dy, ‘baballarët e kombit’, të ishin të zemëruar etj., etj. Ishin pikërisht epitete të tilla, të cilat ai nuk i duronte dot: baba i kombit, bacë, e të tjera si këto. Shumëkush do ta merrte si shenjë modestie nga ana e tij, apo si shenjë përmbajtjeje, por unë e dija fort mirë se s’kishte të bënte fare me to. Epitete të tilla i dukeshin folklorike. Sapo dëgjova shprehjen ‘baballarët e kombit’ e kuptova se puna do të mbaronte keq. Fytyra e tij mori një shprehje përçmuese. ‘Ç’janë këto idiotësira, tha, këto marrëzira, jo baballarë, jo trapër’. Agim Vinca mbeti gojëhapur. Më erdhi keq për të se ishte një nga dashamirësit dhe nuk e meritonte tërë atë furi. Is u ngrit me aq vrull, sa desh përmbysi tryezën. Unë desha të ikja nga veranda për të mos dëgjuar të tjerat”. A ka në këta rreshta, qoftë edhe një fyerje kundër jush, zoti Vinca? Sepse Helena ju quan dishepull të prof. Qosjes? Apo sepse ju konsideron dashamirës të Kadaresë? Ku, pra, është cenuar nderi juaj? Dhe ku është faji, gënjeshtra e Helena Kadaresë, sepse ajo mendon se ju, zotëri, mund të ndikonit për pajtim? Por Vinca kishte ardhur me mendje të mbrapshtë. Që në krye Vinca kërkon ta bëjë të pabesueshëm këtë takim, e më pas, siç do ta shohim më tej, krejt librin. Sepse ja ç’thotë disa rreshta më poshtë: “Nuk e di, nuk e kuptoj, pse zonja Kadare spekulon, për të mos thënë gënjen, duke e quajtur këtë takim ‘tentim pajtimi’ mes Kadaresë dhe Qosjes dhe duke e paraqitur atë si një takim të rëndë e dramatik, pra të tillë, çfarë ai, në fakt, nuk ishte aspak…”. Përpara se të merrem me mungesën e logjikës në këto radhë, desha t’ju pyesja se si mund të përdorni në shkrimin tuaj fjalët: spekulon, gënjen. Kulmi, po si mund t’i drejtoheni kështu një gruaje, një personaliteti të kulturës shqiptare, shkrimtares Helena Kadare, aq më tepër kur kjo zonjë e nderuar është njëherësh edhe zonja e shtëpisë ku keni bujtur me mikun tuaj? Por le të kthehemi te shkrimi juaj. Pasi e kam lexuar me shumë vëmendje këtë lëmsh fund e krye kontradiktor, dëshiroj t’ju bëj disa pyetje: Përse ndjeheni keq kur zonja Kadare mendon se ju mund të ishit pajtuesi mes z. Qosja dhe z. Kadare? Çdokush do të ishte i nderuar përpara opinionit shqiptar për këtë rol? Ndërsa ju, në shkrimin tuaj, krenarisht e përsërisni në disa paragrafë: Nuk shkova te Kadareja, pra, me “mision pajtimi”! Po atëherë, mos keni shkuar me “mision përçarjeje”? Këtë me shkrim s’e thoni, por po të lexoni me pak kujdes, del që keni shkuar edhe më larg. “Nuk shkova tek Ismail Kadareja për ta ‘pajtuar’ me Rexhep Qosjen, sepse, tekefundit, ata ende nuk ishin ‘prishur’. Prishja e tyre ndodhi, siç dihet nga të gjithë, një vit më vonë, në 2006-n, kur shpërtheu debati i shumëpërfolur për çështjen e identitetit”. Si nuk ishin “prishur”? Pikërisht, sipër paragrafit që keni cituar, po në të njëjtën faqe (fq. 564 – 565 e librit), ja çfarë shkruan Helena Kadare, për raportet Kadare-Qosja, në sfond të ngjarjeve të vitit 1997, në Shqipëri: “Një depresion dhe një brengë e pathënshme i kapi të gjithë shqiptarët e shpërndarë kudo në botë. Bashkë me ta ishte edhe turpi për vendin e tyre që u bë si rreckë përpara gjithë botës. Jam e sigurt se shqiptarët e diasporës, pa folur për ata të Kosovës, i përjetuan më tragjikisht se të gjithë ato ngjarje. Për një surprizë të keqe, mu midis tyre Is i mbërritën dy letra nga akademiku i Kosovës, Rexhep Qosja. Ishin pa pulla poste, gjë që tregonte se dikush i kishte hedhur me dorë njëra pas tjetrës në kutinë e letrave poshtë shtëpisë. Në të dyja letrat, Qosja jo vetëm nuk jepte asnjë shenjë brenge, por ishte i ngazëllyer nga ajo që po ndodhte, duke e quajtur atë ‘revolucion të vonuar demokratik!’ dhe e kritikonte Is përse nuk bënte të njëjtën gjë si ai. Nervozizmi i Is për të kaloi çdo kufi. I hodhi letrat në kosh. Kishte qenë disi i ftohtë përherë me Qosjen dhe nuk e kishte fshehur njëfarë shpërfilljeje, gjë për të cilën unë nuk pajtohesha kurrsesi me të, ngaqë e çmoja R. Qosjen. Mirëpo në raste të tilla, kur i mbushej mendja për mirë apo për keq, ai bëhej i patrajtueshëm. Pavarësisht ç’kishte ndodhur më parë, gëzimin e Qosjes për shkatërrimin e shtetit shqiptar, në pranverë të vitit 1997, Is nuk do t’ia falte kurrë. Siç ma shpjegoi, nuk ishte vetëm ana morale dhe patriotike. Ngazëllimi i Qosjes i dukej i papranueshëm, në radhë të parë, nga ana njerëzore”. Ja, pra, përse janë “prishur”! Ja, pra, kur janë “prishur”! Shumë kohë para vitit 2006! I ndau Shqipëria e vitit 1997! Kadareja i brengosur, Qosja i ngazëllyer! Po përse nuk e përmendni këtë paragraf në shkrimin tuaj? Dihet tashmë se për ngjarjet e vitit 1997, të cilat z. Qosja i quajti revolucion i vonuar demokratik, koha i dha të drejtë Kadaresë dhe jo Qosjes. Mirë në 2005-n, mbase nuk dinit gjë për dy letrat e Qosjes, po tani, asgjë nuk ndodh në ndërgjegjen tuaj njerëzore, kur sillni ndër mend djegien e Shqipërisë, vrasjen e mijëra djemve, fëmijëve, rënien në gjunjë të shtetit shqiptar? E meqenëse përmendni vitin 2006 dhe “mospajtimin për identitetin”, ky mospajtim gjithashtu ka qenë parimor: Kadare mbronte tezën se shqiptarët kanë identitetin europianë, kurse Qosja këmbëngulte në identitetin e përgjysmuar: europian dhe aziatik. Por ju nuk ndaleni në të keqen tuaj. Ndryshe, si shpjegohet që në shkrim keni aq mllef kundër Rugovës? Si mundeni ta denigroni edhe tani një personalitet të nderuar si Rugova, kur thoni konkretisht: “Kadare m’u duk më i butë e më tolerant se ç’e prisja. Duke përfituar nga kjo ‘klimë’, i pata thënë, në bisedë e sipër, se nuk bëri mirë që shkoi te Rugova gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2002″. Është e çuditshme çfarë egërsie ka në këto fjalë. Mirë në gjallje, por tani që lideri historik i Kosovës s’është më, Vinca gjen rastin të hakërrehet për këtë “pajtim” të Kadaresë. Dhe ku? Në shtëpinë e tij! Si mysafir i tij! I trimëruar edhe më shumë nga toleranca e mikpritësit, tashmë poeti ynë fluturon degë më degë dhe krejt papritmas kujton se mund të qortojë Kadarenë për një tjetër pajtim. Është fjala për Adem Demaçin. Ashtu si në rastin e Rugovës, ku Kadareja publikisht kishte shprehur rezerva për ndonjë qëndrim të tij gjatë konfliktit në Kosovë, por më pas, kur Kosova u çlirua, të dy këta njerëz të shquar i hodhën pas acarimet dhe u afruan prapë si miq të vjetër që kishin qenë, një gjë e ngjashme ndodhi edhe me Adem Demaçin. Kishte pasur ndonjë mospajtim idesh midis tyre, ndër ta, ose letra e hapur e Demaçit e vitit 1990, kur çifti Kadare e la Shqipërinë. Por këto mospajtime idesh nuk u bënë kurrë shkak të prishej miqësia e tyre. Në kujtimet e zonjës Kadare përshkruhet me ngjyrat më prekëse ruajtja e kësaj miqësie dhe takimi me Adem Demaçin në Paris. Këto pajtime të këtyre personazheve të shquar do të ishin model dhe do t’i gëzonin shqiptarët, mirëpo te disa do të provokonin shqetësim. Nga shkrimi i A. Vincës del se ky, në vend të gëzohej për to, është bërë nervoz. Në vend të thoshte “sa mirë që i harruat moskuptimet”, thotë të kundërtën: “Përse u pajtuat!”. Madje fotografinë e takimit pajtues në Paris, Demaçi-Kadare, e sheh si gjë negative. Kjo ndodh sepse njerëz të tillë janë përçarës profesionistë, kërkojnë me çdo kusht që intelektualët e Kosovës t’u kundërvihen atyre të Shqipërisë. Nuk është i rastit solidariteti i njerëzve si F. Lubonja, i cili e nisi fushatën kundër librit “Kohë e pamjaftueshme” në televizion, pa e lexuar atë, por duke shpifur kundër tij. Lubonja është akuzuar disa herë në shtyp si shpifës ndaj Kadaresë, siç ishte rasti flagrant kur shpif se Kadareja paskësh shkruar se gjuha shqipe, në krahasim me serbishten, është si zonjë e rëndë përbri një jevge! Më vonë, kritikën televizive e vazhdoi në shtyp me sulme qesharake kundër gjithë veprës së Kadaresë, duke filluar nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” etj. Në mbyllje të këtij shkrimi, do të përmendja se çfarë shkruan A. Vinca për përfundimin e vizitës së tij në shtëpinë e Kadaresë. “Se ç’ka ndodhur më vonë, pas largimit tonë, në atë shtëpi, unë nuk e di dhe as që më intereson”. Çfarë megalomanie e poetit A. Vinca, që vjen si mik në një shtëpi të nderuar, e del se nuk ishte aspak i tillë! Ai ka lexuar, ndërkaq, në kujtimet e zonjës Kadare, atë që ka ndodhur në atë shtëpi. Ja fjalët e zonjës së shtëpisë: “Sapo ata u larguan shkova tek Ismaili, që vazhdonte të rrinte i egërsuar në verandë dhe i thashë në mënyrë të prerë se ishte treguar krejt i padrejtë”. Si botues dhe si njeri, jam mrekulluar kur e kam lexuar në dorëshkrim këtë paragraf. Janë të rralla gratë që në një situatë të tillë mund të mbajnë një qëndrim kaq objektiv dhe me kaq elegancë. Juria e Panairit të Librit ka pasur parasysh ndoshta raste si ky kur në motivacionin e saj, për çmimin “Autorja e Vitit”, përmendte pikërisht fjalën elegancë. Pyetja që bëj në këtë rast është se: si është e mundur që A. Vinca, pasi ka lexuar këto radhë të së zonjës së shtëpisë, ka guxuar ta fyejë atë me fjalë vulgare? E kam vërtet vështirë të gjej fjalë për këtë qëndrim, karakteristikë e njerëzve burracakë që kujtojnë se mund të nxjerrin kundër grave inatet që kanë me burrat. Ky njeri ka thyer çdo rregull të mikpritjes e të qytetërimit, ndaj për të do të përdorja vetëm epitetin: i paqytetëruar.
"Panorama"