Vlorë, 22 nëntor 2011, NOA- Familja e gjyqtarit të vrarë në Vlorë, Skerdilajd Konomi nëpërmjet një letre për mediat jep informacion lidhur me çështjen e vrasjes së tij dhe hipotekimit të pronave. Agjencia e lajmeve NOA.al jep të plotë letrën e familjarëve të cilët kërkojnë të rivendoset drejtësi. Letra e familjes Konomi:
Me anë të kësaj letre, Familja Konomi dëshiron t’ju përditësojë me zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen akoma të hapur të vrasjes së familjarit tonë të dashur dhe njëkohesisht edhe të procesit të hipotekimit të pronave.
Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja e Skerdilajdit, një funksionar i lartë i shtetit shqiptar, e megjithatë familjes nuk i është transmetuar asnjë rezultat shpresëdhënës. Jemi të ndërgjegjshëm që hetimet kanë kohën e tyre, por megjithatë pas çdo dite që kalon na duket sikur largohemi nga e vërteta.
Kjo ide përforcohet edhe më shumë ndërsa përballemi me vështirësi të shumëllojshme dhe te panatyrshme në përpjekjet tona për të hipotekuar pronat që na përkasin me ligj, procedura të cilat zvarriten deri në pikën e skadencës së çdo afati ligjor. Si është e mundur që në Shqipëri nuk zbatohet as vendimi i Gjykatës së Lartë? Nuk e kuptojmë pse-në? Kush fshihet pas kësaj? Pse shteti vetë na nxjerr pengesa? Nuk e kuptojmë pse Drejtoria Rajonale e Hipotekave në Durrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Hipotekave nuk duan të firmosin dokumentet të cilat janë të rregullta ligjërisht dhe të njohura edhe nga Gjykata e Lartë. A nuk është ky një shembull i pashoq i abuzimit me pushtetin, në një kohë që dokumentet e palës kundërshtuese rezultuan se ishin totalisht të falsifikuara, ndonëse të regjistruara edhe në institucione si Arkiva e Shtetit? Avokatura e shtetit dhe gjykatat vazhdojnë gjyqe mbi këto dokumente false të palës kundërshtare, ndërsa përpjekjet tona për hipotekim kanë dështuar dy herë deri tani.
Të thyer nga dhimbja e humbjes së njeriut tonë të dashur, por edhe të indinjuar nga mungesa e seriozitetit dhe transparencës se organeve kompetente, Familja Konomi e ka çdo ditë e më të vështirë të besojë që jetojmë në një vend ku mbretëron e vërteta dhe ligji e jo mashtrimi dhe mafia. Çdo ditë e më pak e ndiejmë mbështetjen ligjore që i takon çdo individi në mënyrë të barabartë.
Kërkesa jonë për median, si një nga mundësitë e vetme për të sensibilizuar opinionin publik por edhe vullnetin qeveritar, është të hetojë mbi këtë çështje dhe të ushtrojë të gjithë presionin e mundshëm që ngjarje të tilla si hedhja në erë apo djegia e gjallë e zyrtarëve publikë të mos mbetet pa autorësi dhe pa ndëshkuar, në mënyrë që në këtë vend të mos fuqizohet pushteti i mafies, por të rivendoset drejtësia.
a.y/NOA