English

Miqësia me Ramën dhe e pavërteta thelbësore e “Kurbanit”

"Ay, Rama, simbas librit të Ramës, kish qëndruar krejt i ndershëm dhe krejt i falshëm për metodën e tij të aplikuar: 7 hile dhe një trimëri, për Tiranë dhe për Shqypni!... Për Tiranën europiane pra dhe për Shqipërinë e të nesërmes së ndritur!... "

Nga Artur Zheji

Së pari duhet thënë se libri autobiografik i Edi Ramës, ‘Kurbani’, ia ka arritur tashmë një qëllimi: flitet dhe diskutohet për të nga shumë palë. Libri shitet, e në rafte shqiptarësh radhitet një Ramë më shumë.

Njoh mjaft simpatizantë të Ramës, të cilëve ay, u shfaqet tërheqës, i veçantë, i bukur, i gjatë, viktimë e pafajshme e politokracisë së vjetër shqiptare, e cila, simbas atyre simpatizantëve, për shkak të aftësive të tija të ‘veçanta’ kërkon ta shtypë dhe ta zhdukë, si një konkurrent të padëshirueshëm. Simpatizantët që unë njoh, shumica jo socialistë dhe jo me banim të përhershëm në Shqipëri, mendojnë se ata, politokratët e korruptuar shqiptarë, duke shtypur Ramën, po i heqin një shans, vetë Shqipërisë, për të pasur një lider ndryshe, në tip, në aftësi dhe në moral.

Nuk kam polemizuar asnjëherë me ta, i kam lënë të patrazuar në versionin dhe utopinë e tyre, sepse, aty ku ndodhen dhe me optikën surealiste që kanë për Shqipërinë e përditshme, më kujtojnë vetveten gjatë 11 viteve të qëndrimit tim në Romën hyjnore.

Unë dhe ne të mërguarit me punëra të mira dhe të sojme në Perëndim, mblidheshim hera-herës dhe flisnim pafund për mjerimin shqiptar, për Shqipërinë që kish ngecur në tunel dhe mbasi na kapte rraskapitja, riktheheshim në shtëpitë tona të ngrohta, me bindjen se e kishim kryer ‘detyrën’ ndaj Atdheut të pafat dhe përgatiteshim me zemër të lehtësuar, për betejën personale ekzistenciale që na priste në Dhe’ të huaj.

Duke qenë se punoja si gazetar, në Radion më të madhe politike italiane, Radio Radicale, kisha një info të përditshme dhe të shumtë, se ç’ndodhte e nuk ndodhte edhe në Shqipëri, duke brejtur veten se si ishte e mundur që shkonin kaq shtrembër, kaq shumë gjëra, që dukshëm, qartazi dhe lehtësisht, mund të bëheshin fare lehtë më ndryshe dhe mjaft më mirë.

Kjo është fryma e përgjithshme e emigrantëve që ruajnë vëmendje për Atdheun e tyre dhe në këtë frymë, aso kohe, përvijonim një dialog të ndërprerë, por sidoqoftë të përhershëm edhe me Edin. Në shumë aspekte ruanim pikëpamje sinqerisht të ngjashme, me ndryshimin se pikëpamjet e mija tingëllonin më shumë konservatore dhe dukshëm më ‘nacionaliste’ në shkollë dhe në frymë. Ndërsa Edi ishte shumë nën ndikim të Sorosit asokohe, thuhej apo më tha se e kish takuar edhe në Amerikë dhe ruante në komunikimin me manjatin amerikan, një sens misteri, për të cilën nuk hapej duke ruajtur në biseda porta të mbyllura. Shoqërohej dhe përputhej shumë me Lubonjën. Lubonja, Ardian Klosi dhe Rama, në formatin e Revistës ‘Përpjekja’, ishin shpallur mosketjerë dhe i binin brinjë më brinjë Berishës dhe Qeverisë së tij. Në takimet tona nuk mungonte Avokati, ndërsa marrëdhëniet e mia me Lubonjën dhe Klosin, ishin dhe mbetën të ftohta.

Avokat Ngjela, që ishte atyre viteve një komunikues brilant, shkrinte në rrëfenjat e tij, shpesh ‘arrogante’, segmente magjepsëse nga fëmijëria dhe rinia e tij në Bllok apo në burg dhe nxirrte shpesh në dritë, skutat e errëta të kategorisë së sapokonvertuarve, ish-komunistë apo ish-sigurimsa, që prinin në ballë, në mes, apo gjithkund në ‘betejën’ e ndryshimeve kapitaliste. Ngjela ishte asokohe shumë energjik dhe padyshim i mrekullueshëm dhe shpesh unë, Edi dhe Avokati, përbënim një treshe eferveshente, në herët e rralla që takoheshim, sidomos në Tiranë.

Tek lexoja pra ‘Kurban’-in, autobiografinë politike të Edit, sot Kryetari i Partisë Socialiste shqiptare dhe Lider i Opozitës, vendosa të zbraz një kuti fare të vogël ‘kujtimesh’, nga arkivi i miqësisë së fortë të dikurshme, me piktorin e talentuar dhe padyshim një nga mendjet më të ndritura shqiptare të brezit të vet. Besoj se kam edhe mirëkuptimin e Edit për këtë, pasiqë ay vetë, e ka nisur me të tjerë këtë lojë rrëfimesh vetjake në funksion të së vërtetës simbas tij.

Mirëpo arsyeja ime e mirëfilltë është se, tek parafytyroj lexuesit që lexojnë këtë libër, ku ka një revizionim të thellë të të vërtetave themelore, duhet të dëgjojnë më shumë se sa një këmbanë, përpara se të falen në Kishën apo Partinë apo Liderin, që kanë pasion. Pasiqë Kryetari i Opozitës dhe Edi, janë sot dy entitete të ndryshme. Njeri është në pushtet dhe afër pushtetit maksimal të Shqipërisë, tjetri, është shoku i ëndrrave të mëdha, lënë sot, në një harresë po kaq të madhe. Dhe është detyrë të thuash se çfarë di, për të demitizuar legjendën e Liderit, që ky libër priret dukshëm dhe mjeshtërisht të farkëtojë.

…Ishte viti tashmë i largët ’98, një vit postApokaliptik i vitit humnerë ’97. Rama sapo ishte bërë Ministër i Kulturës dhe ngjante i hutuar. Kishim lënë një takim me të dhe Avokatin te kafe ‘Caplini’, ish-Estrada, kërkuar nga Edi, që donte të konsultohej se si do ta bënte ndryshe këtë Ministri. Ai, me sa dukej, kërkonte të impostonte se si duhet të ishte timbri apo çelësi konceptual i bëmave të tija të ardhshme politike.

Më kujtohet gjithmonë disi me siklet ajo ditë, sepse kumbimi i fjalëve që i thashë Edit, stonojnë sot rëndshëm për nga naiviteti. Por ato mendime ishin sidoqoftë fryt i një sinqeriteti të thellë dhe dashurie shoqërore e krahasueshme me atë për një vëlla pak më të vogël, me merakun se mos po bëhej viktimë e pavetëdijshme e gjenialitetit të vet, të përdorur nga ‘ustallarët e zymtë’ të politikës shqiptare.

Ftesa e bujshme e Fatos Nanos për parizienin e adoptuar, shëmbëllente si një fillim i ri në koncept të politikës. Shqipëria pra, përmes Fatosit, po kërkonte çunat e aftë degdisur në emigracion, që të ktheheshin e të punonin europianisht për të ringjallur Vendin mbas gjëmës së vitit ’97.

Për Fatos Nanon, dorën e zgjatur të të cilit, Rama sapo e kishte rrokur, asokohe nuk kisha ndonjë farë pikëpamje të posaçme. Historia e tij personale dhe drama e tij politike, e parë nga Roma dhe Italia, ku De Michelis dhe Craxi, respektivisht ish-ministri i Jashtëm italian dhe ish-Kryeministri italian e Kryetar i Partisë Socialiste italiane njëherësh, përjetuan kulmin e anatemimit nga Prokurori Di Pietro, më dukej e natyrshme. Nano ishte, simbas pikëpamjes sime të asaj kohe, një viktimë e mungesës së eksperiencës së përgjithshme shqiptare me të huajt dhe një bashkëpunëtor i mundshëm i Kryeministrit Craxi, kaq i përfolur për aferat korruptive me projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar, të ngritura në art nga De Michelis dhe grupet e interesit të bizneseve që ai koordinonte ndërkombëtarisht. Shqipëria e asaj kohe mund të ishte përdorur si një zorrë e vogël qorre, ku ishin devijuar financime të rëndësishme, në bashkëpunim me Kryeministrin Nano, me qëllim grabitjen e tyre, nga korrupsioni, tashmë i denoncuar publikisht në Itali nga Di Pietro dhe Prokuroria agresive e Milanos. Presidenti Berisha, mendoja asokohe, kish nxjerrë përfitimin e vet politik nga ky rast, porse faktet nuk i kish fabrikuar ay, faktet e skandalit që çuan Nanon në burg, buronin nga Prokuroria Italiane.

Nano pra, në vitin 1998, më dukej një politikan me shumë pikëpyetje të pasqaruara ende. Nga një ish-i burgosur, shndërruar sakaq në Kryeministër, con furor del popolo. Simbas meje, ay, me zgjuarsinë e rrallë oksidentale të një specieje të re politike, kish filluar fushatën e rekrutimeve të brezit të ri, larg klishesë neokomuniste, duke e filluar pikërisht me Ramën.

Te ‘Çaplini’, më kujtohet se derdha shkumë e zjarr, kundër asaj Partie Socialiste, ende krejtësisht puniste, që simbas meje, kish bërë vetëm një makiazh të fasadës, për të mbajtur pushtetin, për të shpëlarë gjakun e krimeve të kryera kundër popullit dhe në emër të popullit. Dhe Fatos Nano, pa e njohur nga afër, më paraqitej si menaxheri më i përkryer i këtij operacioni, me mistifikimin e një ish-të burgosuri politik, pikërisht kur burgu politik ishte një non sens historik në demokracinë që kish trokitur në derë të shqiptarëve, por ende s’kish kaluar dot realisht as pragun e saj.

Dhe Rama, do të ishte viktima e parë e bujshme e këtij operacioni të djallëzuar rekrutues të ish- Partisë së Punës. Dhe kështu, Shoku, Vëllai më i vogël, do të përpihej në xhunglën e demonëve të kamufluar, do të futej në kupolën e tyre dhe do të humbiste talentin, pikturën, Dritën dhe pritshmërinë që kishim për kontributin e tij në vepra më të shquara dhe më të pastra...

Pak a shumë kjo ishte teza ime, shto këtu, idenë për të themeluar një parti të re, e cila do të kishte simbas meje shumë shanse për t’u kuotuar mjaft shpejt, gjykuar nga e vërteta apo deliri, se ne ishim më të mirët: si komunikues publikë, si kulturë mbartës, si të pakompleksuar nga e kaluara apo nga Oksidenti, tallazet e të cilit i kishim përballur me sukses, si njerëzdashës apo edhe si Atdhedashës.

Rama, i cili ishte tashmë Ministër, më kujtohet se u kap në befasi nga mosurimet e mija për atë post dhe për më tepër nga sugjerimi, që ta linte njëherë e më parë, këtë akt tregtimi të shpirtit dhe të lirisë së tij me pushtetin ende pa katharsis që zotëronte në Shqipëri. Ky shkëmbim më dukej i pabarabartë. Misioni që Zoti, Zoti i shqiptarëve, kish rezervuar për ne dhe për Ramën, më parafytyrohej më i lartë…

Kjo marrëzi apo e vërtetë, kish qenë lajtmotivi im i shpeshtë, i frymëzuar që në agun e miqësisë tonë shumëvjeçare. Që kur Edi, nëse nuk e ka harruar, lexonte poezitë e mia apo esetë filozofike klandestine të babait tim apo të Kasem Trebeshinës, që qarkulloja atyre viteve të përpara ’90-ës.

Që kur Edi, një natë, kish shkruar së pari në jetë të tij, një sprovë stilistike letrare, shkruar në tym dhe që ma lexoi me zë të lartë, nën dritën e një neoni gjysmë të qorruar në rrugën e Durrësit, gati 25 vjet më parë. Dhe ishte një sprovë e parë, me shkëndija gjeniale. Qëllon rrallë ose asnjëherë, që të qëllosh në shenjë, që herën e parë. Dhe Edi kish qëlluar. Një talent i pazakontë, kish xixëlluar një shkëndijë të madhe, nën një neon qorr, në një rrugë boshe, në dy të natës, përballë ish ambasadës jugosllave. Dhe si ndodh me këto specie të posaçme, pragjet e kohës kapërcehen me një shpejtësi të pakohë. Shumë mëkate periferike, këtyre të bekuarve nga natyra dhe Zoti për talent të tepërt, u falen bujarisht nga shokët vëllezër, që vigjëlojnë gjithmonë në panik se çdo të bëhet me këtë enfant prodige, që i tunduar kësaj radhe nga pushteti, në vend që të ngrihej, frikesha se do të binte.

Ndoshta do të binte për të mos u ngritur kurrë më, në lartësinë e sprovës së tij të parë.

Kjo ishte fryma e dlirë e fjalimit tim të zjarrtë te ‘Çaplini’, i cili fjalim, i riparë në dritën e historisë së sotshme, tingëllon padyshim disi patetik dhe absurd për shumëkënd, por në metrin tim, ishte një nga fjalimet e mia më të ndjera. Kujtoj se u prita ftohtë dhe çajet e salepet e kafenesë, nuk bënin fajde për ndryshim temperature, ndërsa Avokati, hutimit të ftohtë të Edit, i erdhi në ndihmë me një frymë të kundërt dhe pragmatiste. ‘Të hyjë në elitën e pushtetit! Të ngjitet dhe t’i bëjë copë ata bylmezat! Dhe ta kapi e ta nënshtrojë atë Partinë Socialiste puniste! Pikturën dhe gazetarinë, aty e ka kur të dojë, talenti nuk tretet!...’

I kërkoj ndjesë Avokatit për ndoshta pasaktësi perifrazimi, porse thelbi ishte padyshim ky: Pushteti. Karriera. Marrja e kalasë! Puuuuuuuuuushteeeeeetiiiiiiii!

Edhe Ngjela ishte shumë dashamirës dhe i sinqertë në këtë parashtrim diametralisht të ndryshëm. Kishte padyshim dashuri dhe bindje në dihatjen e tij pasionante. Bindje se kjo ishte zgjidhja dhe zgjedhja më e mirë.

…Vite më pas, kur ay, u ndesh egër elektoralisht për kryesimin e Bashkisë së Tiranës me Ramën, në vizitat e shpeshta që bënte në zyrën time të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, më derdhi i vrerosur një zhgënjim kaq të hidhur për tashmë kundërshtarin e tij dhe kujtoj që pllakosi një trishtim i thellë, për ish-shokun e humbur, që përdorte metoda të zymta jopolitike ndaj kundërshtarit. Sigurisht detajet e kësaj bisede mbeten konfidenciale, por kujtoj që i përmenda Avokatit, bisedën te ‘Çaplini’, duke përdorur ndoshta një moment jo aq të përshtatshëm, për të korrur vetë, në mënyrë disi cinike një fitore të vonuar, për tezat e mia, asokohe të shpërfillura.

…Te ‘Çaplini’, Edi nuk foli dhe s’mbaj mend të replikonte me mua. M’kujtohet se tha diçka që lidhej me përkushtimin e tij për kulturën, për futjen aty të një fryme të re, të Frymës Sonë, mbetur jetime dhe vetëm e pëshpëritur prej kohësh. Tek përktheja lirisht heshtjen apo ngathtësinë e tij komunikative të asaj nate, më tingëlloi në mendje një frazë e bukur: Një Kalë Troje i së Mirës, në barkun e një Kështjelle të së Keqes! Kështu do të mund të përshkruhej në një rresht të vetëm filozofia e përcaktuar atë natë te ish-kafe ‘Çaplini’. Mbas kësaj heshta edhe unë, i pabindur, por i dorëzuar si minorancë që isha.

Që atë ditë, mendoj se filloi midis nesh një ndarje dhe largim i pandërprerë. Karriera e tij, përmes shumë piruetave dhe përkuljeve, që nuk zënë vend rrëfimi te ‘Kurbani’, eci si mos më mirë dhe deri në vitin 2007, pavarësisht mëkateve të tija komunikative, kam qenë gjithmonë herë vakët dhe herë më ngrohtë, një mbështetës pa përfitim vetjak i tij. Por kjo nuk ka rëndësi publike.

‘Kurbani’, në lexim e sipër më zgjoi nevojën serioze, për t’i bërë të njohura këto kujtime, jo më për Edin, por për Kryetarin e sotshëm të Partisë Socialiste, i cili me stil letrar të admirueshëm dhe klasin e një rrëfimtari të sprovuar, ka thurur një libër me një të pavërtetë thelbësore në qendër. Sepse Rama nuk u bë dot asnjëherë ‘Kali i Trojës’ i së Mirës, në barkun e Kështjellës të së Keqes politokratike shqiptare, ndërsa në këtë libër, robtohet të ç’pluhurosë dhe të provojë, sigurisht pa vetëdije, pikërisht këtë tezë që biseduam në vitin e largët ’98.

Pavarësisht lëndimeve të pamerituara që Rama ka marrë gjatë këtyre viteve, për familjen, babain apo nënën, pavarësisht se është sulmuar egërsisht dhe ndyrësisht nga gazetarë dhe politikanë që sot janë në krahun e tij, asgjë thelbësore nuk ndryshon. Mjerisht ky është humusi i politikës dhe gazetarisë shqiptare, ku, gjithkush nga ne, ka marrë një baltosje të pamerituar. Simbas parimit, sa më lart gatitesh të hypësh, aq më shumë baltosje e pamerituar dhe vrastare përgatitet për ty. Ky është padyshim një mëkat që duhet tejkaluar në këtë akuarium kaq të tejndotur akustik, të retorikës politike shqiptare, por kjo sërish është një temë tjetër. Këta kamzhikë të padrejtë dhe të dhimbshëm sa më s’ka, nuk përbëjnë dot ama, një purgator shenjtërues apo mistifikues, për askënd nga ne.

Por tek lexon këtë libër, ngjizet përshtypja e rreme se ky njeri kurban, ky misionar i paepur i Punës dhe i të Mirës, në mes të kopesë së ujqërve pa din dhe pa iman, në mes të gjarpërinjve më helmues dhe më tundues të xhunglës shqiptare, ka mbijetuar shenjtërisht, i strukur në kështjellën e Unit të tij, si një asket i patunduar, pikërisht në zemër dhe në kupolën e ‘Shtëpisë Publike’ të politikës shqiptare, me qëllimin e lartë për të bërë Tiranën dhe Shqipërinë!...

Ay, Rama, simbas librit të Ramës, kish qëndruar krejt i ndershëm dhe krejt i falshëm për metodën e tij të aplikuar: 7 hile dhe një trimëri, për Tiranë dhe për Shqypni!... Për Tiranën europiane pra dhe për Shqipërinë e të nesërmes së ndritur!... Një retorikë kjo krejt politike, për konsum elektoral, pavarësisht stilit të admirueshëm letrar, që mbetet një qyrk i shtrenjtë i formës, por që përbrenda, ndryn ‘boshin’, hiçin dhe një jotëvërtetë, joshëse turmash.

Sepse kjo shenjtëri e vetëshkruar dhe vetëpërshkruar, nuk është dhe nuk ka se si të jetë e mundur. Dhe kur nuk është e mundur, nuk mund të jetë e vërtetë. E pra ose është imagjinare, ose është një e pavërtetë e stisur.

Por si një asket i dështuar dhe si një mëkatar mesatar që jam, i trembem shumë Shenjtorit të pamundur apo të rremë që lexoj të farkëtohet në radhët e këtij libri. Sepse të jesh një politikan i klasit të parë, siç Rama sot është, është një gjë tjetër, të pretendosh se je një asket apo një Ëngjëll i vetëm në mes të djajve, është një blasfemi, por mbi të gjitha një kurth për turmën. Duket sikur ay, përgatit psikologjikisht opinionin publik për adhurimin e vet të ardhshëm, si të një Diktatori. Të mirë, të vuajtur, të virtytshëm, punëtor, të paepur dhe të ndershëm sa më s’ka!

Sepse vetëm një Diktator, si edhe ay që lamë pas, është edhe i mirë, edhe i ditur, edhe i drejtë.

Nexhmija kujtonte për të shoqin, se ay, ‘Enveri inë pra’, tek shkruante kujtimet e veta të vegjëlisë, ishte në dilemë nëse të rrëfente ose jo, mëkatin që kish kryer në Gjirokastër shumë vite më parë… Në fëmijëri, Enveri i vogël kish pas vjedhur kumbulla në gjitonët. E pra, për rrjedhim ky shenjtor dhe udhëheqës i ndritur, skuqej në moshën 70 e kusur vjeçare, për këtë mëkat fëmijërie të kumbullavjedhjes, a thua se, përpos këtij mëkati të kumbullt, asnjë mëkat tjatër se kish fare njollosur, Atë, Udhëheqësin, në jetën dhe në luftën e tij revolucionare.

E pra, nëse Rama e shikon vërtet veten, qoftë edhe në mënyrë halucinante, në këtë pasqyrë magjike të pavërtetë, ku shfaqet pavërtetësisht i përsosur, kurban dhe misionar njëherësh, nuk është më vetëm halli i tij personal, por është halli i Kryetarit të Partisë së madhe Socialiste Shqiptare, që nesër apo pasnesër do ta sjellë në pushtet këtë asket të pavërtetë të ‘Kurban’-it.

Duke i kërkuar sidoqoftë ndjesë Edit të së shkuarës, për këtë shkrim mbi librin e tij, i kujtoj se adresa e tij ka ndryshuar prej kohësh, në atë të Liderit të Opozitës dhe ndoshta të Kryeministrit të ardhshëm shqiptar.

Vijon-

"Mapo"

KOMENTE
  • ISH MIKU I ZHEJIT15:29 - 23 Nëntor 2011
    PA DYSHIM QE ELOKUENCES SE ZHEJIT ,NUK KE CFARE TI THUASH,,,,POR ZHEJI DUHET TE MOS BEJE TE PA FAJSHMIN ,TE MIRIN ,GJYKATESIN..TE MOS BEJE "KRISHTIN" PERPARA SE TI BJERE GJOKSIT DHE TE SHESE DENGLA ,LE TI BEJ VETES NJE ANALIZE ,SEPSE ASHTU SIC "PRETENDON"TE KETE THENE TE VERTETEN,PER RAMEN (GJITHMONE NE NATYREN AMBICIOZE TE TIJE)LE TE MOS HAROJE KUSH I ZGJATI DOREN DHE I HAPI RRUGEN E SAHAN LEPIRESIT POLITIK ,NE RAST SE NDIHET KESHTU "ENGJELLOR"LE FLASE PERSE NUK MUNDI TE MBYLLTE MANDATIN SI DREJTOR I TVSH,,,POR PERFUNDOI SUBJEKT I PA DESHIRUAR PER TE GJITHA FORCAT POLITIKE...NDERSA TANI ME SA DUKET NDJEN NE AJER HIJEN E NANOS DHE PA PRITUR NA BEHET I VLEFSHEM,,,NJE DITE NJE GOMAR ,PA TI KALONTE PRANE NJE GJEL,SAPO E PA GOMARI JU DREJTUA :O GJEL SA KOKE TE MADHE QE KE.....