English

“Mjegulla” sekuestron afro 120 kg marijuanë, pesë në kërkim

Gjirokastër, 23 nëntor 2011, NOA – Përmes operacionit të koduar “Mjegulla” janë sekuestruar në Gjirokastër rreth 120 kilogramë marijuanë, ndërsa janë shpallur në kërkim policor 5 shtetas, raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.

Katër prej të kërkuarve janë nga fshati Lazarat dhe një është nga fshati Nepravishtë i Gjirokastrës.

Policia e antidrogës e finalizoi operacionin “Mjegulla” rreth orës 02.00, kur në vendin e quajtur “Hija e Zezë”, përballë fshatit Nepravishtë të rrethit Gjirokastër një grup trafikantësh droge po transportonin me krahë në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek, disa çanta të mëdha shpine, të dyshuara me lëndë narkotike.

Pas nisjes rrëmbimthi drejt zonës në fjalë, rreth orës 03.00, të mëngjesit, në një terren me mjegull dhe të thyer dhe nën shiun e rrëmbyer është bërë i mundur identifikimi i vendndodhjes së 5 shtetasve, të cilët kishin qëndruar buzë një përroi përballë fshatit Nepravishtë në një shpellë.

Të 5 shtetasit nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë për t’u dorëzuar, por kanë braktisur çantat në përrua, dhe mandej u hodhën edhe vetë aty për t’u larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira e mjegulla.

Sipas policisë, për shkak të terrenit të thyer dhe motit të keq për të mos rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, ndjekja e trafikantëve u ndërpre rreth orës 06.00.

Policia në agim bëri dhe krehjen e zonës ku u hodhën 5 shtetasit që transportonin lëndën narkotike, duke sekuestruar dhjetë pako të mëdha me peshë 10 kilogramë secila të futura në katër çanta të mëdha shpine, si dhe 10 pako 2 kilogramë secila të futura në një thes, që në total përbënin afro 120 kg marijuanë.

Për arsye hetimi policia nuk bën publike identitetet e pesë trafikantëve të shpallur në kërkim, ndërsa po punon intensivisht për kapjen e tyre.

Të pestë personat janë nën akuzë për prodhim dhe trafikimi droge.

mit/NOA

KOMENTE