English

Moti i keq gjunjëzon jugun e Italisë

Mesina, 23 nëntor 2011, NOA – Italia është gjunjëzuar nga moti i keq, i cili ka shënuar një bilanc prej tre viktimash deri më tani, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Bilanci paraprak i motit të keq, në Sicili është një fëmijë i vdekur, ndërsa janë vërejtur edhe dy kufoma të tjera, atë e bir.

Viktimat u shënuan pas rrëshqitjes së dherave në zonën e Saponara-s, një fshat pranë Mesinës, kur një kreshtë shkëmbore pasditen e vonë të së martës u shkëput duke gllabëruar me vete disa shtëpi në Scarcelli.

Bruno Manfrè, drejtuesi i Mbrojtjes Civile në Messina bëri me dije se njëra prej viktimave është Luca Vinci, një djalë dhjetë-vjeçar, ndërsa rezultojnë të vdekur edhe Luigi Valla, 55 vjeç dhe djali i tij Giuseppe Valla 25 vjeç, kufomat e të cilëve u panë, por ende nuk janë transportuar në morgun e qytetit.

Ndërkohë mendohet e zhdukur edhe një grua 24-vjeçare.

Për situatën e rënduar nga moti i keq, që ka goditur në mënyrë të veçantë rajonet jugore të Italisë, si Siçilinë dhe Kalabrinë, është njoftuar edhe kryeministri italian Mario Monti, i cili ndodhet në Bruksel për t’u takuar me krerët e lartë të BE-së.

Kryeministri Monti i ka dhënë udhëzime të qarta shefit të Departamentit të Mbrojtjes Civile dhe i ka kërkuar të zbresë vetë në zonat e përmbytura për të verifikuar nga afër gjendjen dhe nevojat akute të njerëzve që jetojnë aty.

mit/NOA

KOMENTE