Prishtinë, 22 nëntor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i pranishëm në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së Forcës së Sigurisë së Kosovës tha se detyrat dhe misionet që ka përmbyllur me sukses deri më sot FSK flasin qartë për punën profesionale në ngritjen dhe avancimin e FSK-së.
“Sot gjeneral Sylejman Selimi i dorëzon detyrën komandantit të ardhshëm të FSK-së gjeneralit Kadri Kastrati. Ky moment është tregues i qartë se FSK tashmë ka arritur një përgatitje të lartë profesionale, si një aspektin e ngritjes së kapaciteteve, ashtu edhe në menaxhimin e punëve të suksesshme dhe strukturës së saj. Me këtë rast më lejoni që publikisht si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si bashkëluftëtar i tij të falënderoj komandantin e deritashëm, gjeneral Sylejman Selimi për punën e tij të shkëlqyer në udhëheqjen e FSK-së”, u shpreh Thaçi.
Ai tha se FSK është forcë multietnike dhe me përfshirje të merituar gjinore pasi është forcë moderne, profesionale, e standardeve të NATO-s.
Thaçi shprehu bindjen se komandanti i ri, gjeneral Kadri Kastrati, i cili sot mori përsipër udhëheqjen e FSK-së do të vazhdojë punën e mirë të nisur nga gjeneral Selimi.
Kryeministri kosovar kërkoi nga të pranishmit që të kujtohet rrugëtimi i Kosovës prej robërisë së dikurshme në lirinë e sotme.
Duke iu drejtuar komandantit të ri gjeneral Kastratit, Thaçi tha, “Në emër të Qeverisë së Kosovës ju konfirmoj mbështetjen e plotë në angazhimet tona të mëtutjeshme që edhe FSK në të ardhmen e afërt të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike, pjesë e NATO-s”.
a.y/NOA