Tiranë, 23 nëntor 2011, NOA – Lajmi i publikuar nëpër disa gazeta në vend, se kryeministri Sali Berisha kishte deklaruar në Jeruzalem, se Palestina sabotoi procesin e paqes, ka sjellë edhe reagimin e zëdhënëses së kryeministrit, Erla Mëhilli.
Znj Mëhilli përmes një deklarate të shkurtër të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë përgënjeshtron lajmin, duke bërë me dije se ishte kryekëput i pavërtetë.
“Kryeministri Berisha në asnjë rast dhe asnjëherë nuk është shprehur për sabotim nga pala palestineze të procesit të paqes, por ka theksuar dhe thekson se Shqipëria mbështet si zgjidhje të vetme, zgjidhjen e dy shteteve të pavarura”, deklaron Mëhilli.
Zëdhënësja e Kryeministrit sqaron se Shqipëria nuk mbështet rezolutën e paraqitur në OKB nga Autoriteti Palestinez për anëtarësimin e Palestinës në këtë organizatë, pasi mendon se kjo rezolutë nuk ndihmon në procesin e negociatave midis dy vendeve, proces jetik ky për një zgjidhje të qëndrueshme të problemit më të ndërlikuar të kohës.
“Çdo interpretim tjetër i deklaratave të Kryeministrit Berisha është tërësisht i pavërtetë”, theksoi zëdhënësja e shefit të qëverisë, Erla Mëhilli.
mit/NOA