Mitrovicë, 24 nëntor 2011, NOA - Trupat e forcave shumëkombëshe të NATO-s janë përplasur me ekstremistë serbë, mbrëmjen e të mërkurës gjatë heqjes së një barrikade rrugore, në Mitrovicën e veriut, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Përplasja është shkaktuar pasi trupat e KFOR-it larguan një barrikadë rrugore në pjesën veriore të Mitrovicës gjatë natës, duke përdorur edhe gazin lotsjellës, për të shpërndarë ekstremistët serbë të vendosur në mbrojtje të bllokadës.
Agjencia Reuters, raportoi se gjatë heqjes së barrikadës ka patur edhe të shtëna armësh, citon Bota sot.
Aksioni u ndërmor nga ushtarët portugezë dhe hungarezë të forvave ushtarake.
Edhe pse shumë prej tyre janë hequr, prapëseprapë rrugët e veriut të Minrovicës në veri të Kosovës, që prej korrikut të këtij viti e më tej vijojnë të mbeten të bllokuara me barrikada nga serbët, që kundërshtojnë autoritetin e Kosovës në veriun me shumicë serbe.
mit/NOA