Stamboll, 24 nëntor 2011, NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi një vizitë zyrtare në kryeqytetin e Turqisë, Ankara dhe në Stamboll, me ftesë të kryebashkiakëve të këtyre qyteteve.
Në takimin me kryetarin e bashkisë së Ankarasë, Melih Gëkcek u diskutua për rritjen e bashkëpunimit mes dy bashkive, në fushën e projekteve sociale, trainimit profesional të të rinjve, ngritjen e parqeve industriale dhe në fushën e shtimit të hapësirave publike dhe ato të gjelbra. Ndonëse ekziston një marrëveshje binjakëzimi mes dy qyteteve, niveli i shkëmbimit ka mbetur vetem në letër.
Gecek tha se Bashkia e Ankarasë do të mbështesë iniciativat e kryebashkiakut të Tiranës për gjelbërimin, ngritjen e parqeve industriale, etj. Vemendje të vecantë, i Basha i ka kushtuar bashkëpunimit për trainimin profesional të të rinjeve, duke bërë të ditur se punësimi mbetet prioriteti kryesor i bashkisë së Tiranës.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Ankara, Basha u takua me Ministrin e Financave, z.Mehmet Shimshek, dhe drejtues të Bankës së njohur Turke, Exim Bank.
Basha i njohu autoritetet turke me projektet e Bashkisë së Tiranës për zhvillimin e qytetit, si vendosja e linjës së tramit, apo projektet të tjera të infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik. Basha u shpreh për nevojën e ndërtimit të Tramit, pasi kjo do të ndihmojë për lehtësimin e trafikut dhe reduktimin e ndotjes.
Në Stamboll, Basha u prit nga kryetari i Bashkisë, Kadir Topbash.
“Mund të them se jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo fushe, në krye, transporti publik, ujesjellës-kanalizimet. Do të ofrojmë asistencë dhe do ndihmojmë me ekperiencën tonë. Jo vetëm në këto fusha, por kudo ku ka nevojë do ndihmojmë Bashkinë e Tiranës. Do të hartojmë sëbashku protokolle për bashkëpunimin dy palësh, për ti hapur rrugën binjakezimit të dy qyteteve. Kryetari Basha na njohu me projektet për të ardhmen dhe jam i bindur që do t’i vendosë në jetë. Zhvillimi që do të ketë Tirana, do na gëzojë pa masë”, tha Topbash.
“Ne kemi shumë sfida dhe po ashtu oportunitete të mëdha, në bashkëpunimin tonë. Diskutuam për projekte konkrete, nga fusha e transportit publik, tek fusha e ujësjellës – kanalizimeve, mbetjeve urbane, projekteve sociale, etj. Unë pres me padurim të përfitoj nga përvoja e çmuar e Kryearit Topbash dhe Bashkisë së Stambollit nën drejtimin e tij”, tha Basha.
Gjithashtu, z.Basha u takua me Guvernatorin e Stambollit, Hysein Avni Moglu ku u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit. Z.Moglu tha se Tirana është qyteti më i rëndësishëm dhe më i bukur në rajon. “Unë jam i bindur se me ju kryetar Bashkie, Tirana do të jetë edhe qyteti më i zhvilluar i rajonit”, u shpreh Moglu.
Kryebashkiaku Basha vizitoi metronë e Stambollit, qendrën e monitorimit të saj si dhe linjën e Tramit. Me linjën e Tramit në Stamboll qarkullojnë çdo ditë rreth 760 mijë qytetarë.
Basha vizitoi edhe qendrën e kontrollit të trafikut, ku pa nga afër se si menaxhohet trafiku në një qytet me qarkullim të rënduar, në raste aksidentesh apo në rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
a.q/NOA