English

Bashkia e Tiranës, kallëzim penal për shkollën “Wilson”

Tiranë, 24 nëntor 2011, NOA - Bashkia e Tiranës depozitoi sot një kallëzim penal ndaj institucionit arsimor “Wilson”, për dëmin që i ka shkaktuar parkut të Liqenit Artificial. Bashkia e Tiranës është e indinjuar nga ky akt dhe është e vendosur të cojë para drejtësisë aktorët e përfshirë në këtë vepër. Policia Bashkiake konstatoi pemët e prera dhe prova të tjera materiale në zonën ku është kryer dëmi ndaj pasurisë së qytetarëve të Tiranës.

“Bëhet akoma më dramatike dhe problematike kjo situatë, kur në qendër të ngjarjes ndodhet i përfshirë një institucion arsimor, i cili duhet të bëjë të kundërtën. Ai duhet të promovojë dashurinë e studentëve dhe nxënësve për mjedisin, për ruajtjen e tij dhe për fat të keq jep shembullin e kundërt. Më lejoni njëkohësisht t’ju bëj të ditur edhe vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të marrë masa të rrepta, për të bërë kallëzim penal ndaj aktorëve që janë përgjegjës për këtë masakër mjedisore. Njëkohësisht, në bashkëpunim me organet e pushtetit qëndror, ne do të marrim të gjithë masat e tjera, deri në revokim të liçencës për ushtrimin e aktivitetit”, tha nënkryetari, Panariti.

Sipas tij,duke filluar që nga dita e nesërme, Bashkia e Tiranës do të organizohet për të bërë një inventarizim të detajuar të çdo bime, të çdo peme , të çdo shkurre dekorative në Parkun e Liqenit Artificial dhe kjo pas dy tre ditësh do të shoqërohet edhe me kalimin e statusit të Parkut Natyror Rajonal për Liqenin që do të jetë garancia dhe mbrojtja ligjore që do i jepet këtij fondi të vyer të kryeqytetit.

a.q/NOA

KOMENTE