English

Berisha: Investimet italiane, në 4 vite arritën 4 miliardë euro

Tiranë, 23 nëntor 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha priti sot në takim ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Saba D’Elia me rastin e përfundimit të detyrës në Shqipëri. Gjatë takimit Berisha falenderoi ambasadorin për mbështetjen e jashtëzakonshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, si dhe vlerësoi maksimalisht kontributin personal të ambasadorit në çuarjen e marrëdhënieve dypalëshe në nivelet më të larta historike. Kryeministri Berisha u shpreh se 4 vjeçari i mandatit të ambasadorit D’Elia në Tiranë shënon një progres të jashtëzakonshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si në planin kulturor, ku pranvera italiane në Shqipëri shënoi kulmin e këtyre marrëdhënieve, ashtu edhe në planin ekonomik. Më tej Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin D’Elia për inkurajimin e investimeve në Shqipëri, të cilat gjatë këtij 4 vjeçari arritën në 4 miliardë euro. Kryeministri vlerësoi, gjithashtu, rolin dhe qëndrimin e ambasadorit gjatë këtyre viteve, një qëndrim që ka dëshmuar respekt ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe dedikim maksimal për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Nga ana e tij Ambasadori D’Elia çmoi kontributin personal të Kryeministrit për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe vlerësoi lart punën e tij dhe të qeverisë së drejtuar prej tij në transformimin dhe modernizimin e vendit. Ambasadori D’Elia i çmoi si të shkëlqyera marrëdhëniet politike, ekonomike e kulturore mes dy vendeve, ku nënshkrimi i dokumentit të partneritetit strategjik, aktivitetet intensive kulturore, bashkëpunimi ekonomik dhe investimet janë treguesi më i mirë për nivelin e këtyre marrëdhënieve. Në përfundim të fjalës së tij, D’Elia e siguroi Kryeministrin se Shqipëria do të gëzojë gjithmonë mbështetjen e Italisë, në mënyrë të veçantë në procesin e integrimit evropian.Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e krizës ekonomike në Europë. Ambasadori D’Elia e informoi Kryeministrin për hapat që qeveria e re italiane e drejtuar nga Kryeministri Monti po ndërmerr për përballimin e situatës aktuale. Kryeministri Berisha u shpreh i sigurt që Italia do të kapërcejë këtë situatë me sukses falë resurseve dhe angazhimit politik dhe të qytetarëve të saj. Duke e uruar zotin D’Elia në detyrat e reja që e presin, Kryeministri Berisha shtroi edhe një dreke për nder të tij, ku merrnin pjesë edhe një numër ambasadorësh të akredituar në vendin tonë.

a.y/NOA

KOMENTE