"Është e vërtetë se vendi ynë është rreshtuar tashmë tek ajo listë shtetesh që presin më parë arritjen e një kompromisi mes Izraelit e Palestinës, e më pas hyrjen e kësaj të fundit në OKB, por të thuash se ky akt përbën një kërcënim për paqen në rajon, ke dëshmuar më së paku mungesë takti dhe ekuilibri"
Nga Skënder Minxhozi
Kishte kohë që Kryeministrin e Shqipërisë nuk e shihnim kaq të kënaqur pas një vizite dypalëshe, siç ndodhi në harkun e pak ditëve, kur shkeli Norvegjinë e Izraelin.
Kjo e ka një shpjegim, madje të thjeshtë: vizitat dypalëshe kanë qenë të rralla, tepër të rralla, në vitet e fundit. Si për Kryeministrin, ashtu edhe për zyrtarët e tjerë të lartë të vendit. E kemi parë zotin Berisha të marrë shpesh avionin për të shkuar diku, por kanë qenë më së shumti udhëtime në konferenca ndërkombëtare, pra shumëpalëshe, në takime partiake apo në forume ekonomike, ku zakonisht ftesa vjen në formë prenotimi. Pra, pasi të kesh paguar tarifën përkatëse te dera e hyrjes.
Dy vizitat e fundit, ajo në Norvegji dhe pak ditë më pas ajo në Izrael, erdhën për ta thyer këtë “thatësirë” diplomatike. Vërtet bëhet fjalë për dy skajet e Europës gjeografike dhe të basenit të Mesdheut, por për sa kohë që nuk ka ftesa nga Berlini, Londra apo Parisi, mund të pranohen edhe Osloja e ftohtë, edhe Tel Avivi i ngrohtë. Ajo çka pamë në fund të dy vizitave, ishte pak a shumë e njëjta tablo, ku dominonte një rozë e fortë, e hedhur pa kursim mbi telajon e bardhë.
Përdorimi i protokollit me të huajt si një kozmetikë politike e brendshme, është një truk i vjetër dhe disi i dalë boje. Megjithatë e ka bërë e po e bën Kryeministri Berisha, ashtu siç e ka bërë dhe siç e bëri edhe në takimin e Detit të Zi kreu i Kuvendit Topalli.
Vizitat në Oslo e Tel Aviv morën një peshë të tillë në mediat zyrtare, që rëndom u jepet udhëtimeve zyrtare në qendrat e mëdha diplomatike të Europës. Pa harruar, natyrisht, Uashingtonin. Duartrokitjet në “playback” që prodhoi media pranë qeverisë për këto vizita e maskojnë keq faktin që marrëdhëniet protokollare të vendit tonë me vendet e treta, të cilat pasqyrojnë edhe ato politike, ekonomike, kulturore etj., ndodhen në një nivel preukopues. Krerët e shtetit tonë po i fton sot pakkush në Europë dhe në Amerikën e Veriut. Ky është një fakt që s’mund të anashkalohet, sepse prej vitesh, asnjëra nga kancelaritë e mëdha nuk ka ftuar një zyrtar të lartë në një vizitë dypalëshe. E jo në konferenca me nga 30-40 zyrtarë të lartë të ftuar, të cilat pak kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona dypalëshe me një shtet të caktuar.
Një aspekt tjetër i vizitës së fundit të zotit Berisha në Izrael, ishin mesazhet që ai hodhi ndaj Palestinës dhe Iranit. Dy vende, që, është mirë ta kujtojmë, kanë prej vitesh përfaqësitë e tyre diplomatike në Tiranë. Përdorimi i termave “nazistë” për udhëheqësit e Iranit, i kalkuluar për të bërë efekt përballë të zotërve të shtëpisë në Tel Aviv, zor se do të ketë ndonjë impakt tjetër, nga ai i zemërimit të një vendi me të cilin nuk kemi pasur ndonjëherë ndonjë problem të drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, të besosh se me këto deklarata, do të të shohin me sy të mirë në Uashington, kjo duket diçka pak a shumë naive, për sa kohë që Shqipëria, me peshën e saj modeste në punët ndërkombëtare, as mund t’i përmirësojë e as mund t’i përkeqësojë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit. Kësisoj, përcaktime të tilla duken thjesht si formula parafabrikate, “politikisht korrekte” në parim, por sigurisht të tepruara e të panevojshme për nga formulimi konkret.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për deklarimin e Berishës rreth anëtarësimit të Palestinës në OKB.
Është e vërtetë se vendi ynë është rreshtuar tashmë tek ajo listë shtetesh që presin më parë arritjen e një kompromisi mes Izraelit e Palestinës, e më pas hyrjen e kësaj të fundit në OKB, por të thuash se ky akt përbën një kërcënim për paqen në rajon, ke dëshmuar më së paku mungesë takti dhe ekuilibri. Ekzistencën e Palestinës sot nuk e mohon asnjë nga vendet e zhvilluara perëndimore. Europa dhe SHBA e kanë pranuar atë si një realitet të ri, të domosdoshëm për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Zelli që anashkalon këtë standard diplomatik të arrirë ndërkombëtar, s’është veçse shenjë papjekurie dhe pasqyron dëshirën klasike të një vendi të vogël, për të marrë mbi supe një barrë që s’ka këllqe ta mbajë. Një sëmundje e hershme e zotit Berisha kjo.
Kryeministri mendon, me shumë gjasë, se një vizitë në Izrael, e shoqëruar me mesazhet tashmë të njohura kundër shtetit palestinez, do të ishte një gjest që do t’i pëlqente avokatit më të madh të shtetit hebraik në botë, Amerikës. Në parim një interpretim i tillë i shkon për shtat famës dhe peshës së njohur që komuniteti hebraik ka pasur historikisht në Shtetet e Bashkuara. Porse sot, kur mes qeverisë “Netanjahu” e kabinetit të Presidentit Obama rrjedhin ujëra të trazuar, të pretendosh t’i shkelësh syrin amerikanëve nga Tel Avivi nuk duket ndonjë lëvizje diplomatike më elegante. Netanjahu ka marrëdhënie dukshëm më të këqija me Obamën, sesa me paraardhësin e tij, Xhorxh W. Bush.
Nga ana tjetër, ky spostim i dukshëm i Kryeministrit shqiptar, në raport me atë që ka qenë marrëdhënia dhe qëndrimi i tij historik ndaj botës arabe, shënon një zhvillim që është vështirë të shpjegohet, pa marrë parasysh koniunkturat e reja ku ka hyrë aktualisht qeveria jonë. Në vitet ‘90 Shqipëria kreu një eksperiment që synonte të testonte linjën e investimeve që rridhnin nga petrodollarët e Gjirit Persik. Por edhe pas dështimit të atij demarshi të parë, i cili kulmoi me hyrjen në OKI, qëndrimi ynë ndaj çështjes më delikate arabe, çështjes palestineze, s’ka qenë asnjëherë më i ashpër se sot. Aq sa ambasadori palestinez në Tiranë priste me të drejtë dje sqarime nga qeveria shqiptare.
Për nga e shkuara dhe e tashmja e saj, Shqipëria s’ka pse të jetë me Izraelin, kundër Palestinës. As anasjelltas. Fare mirë ajo mund të jetë me të dyja. Për ne, një acarim me botën arabe është i barasvlefshëm me acarimin e mundshëm të shtetit hebraik. Kësisoj, logjika e urtë do të kërkonte që të evitohej si i pari, ashtu edhe i dyti.
Gazeta "Shqip"