English

Berisha: Ndihmë nga BERZH për projektet e bashkisë së Tiranës

Tiranë, 24 nëntor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Kryeministri Berisha ka vlerësuar sot Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për mbështetjen financiare të projekteve në infrastrukturë dhe energji. Ai priti në një takim dy përfaqësues të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Jean_Marc Peterschmitt, Drejtor Menaxhimi për Evropën Qendrore dhe Juglindore, si dhe Claudio Viezzoli, Drejtor për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore.

Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e veçantë të BERZH-it në sektorin e energjisë, që sipas tij është edhe sektori kyç për ekonominë e vendit. Ai shprehu nevojën dhe besimin për vazhdimin e financimit të projekteve nga ana e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, edhe në të ardhmen, veçanërisht për mbështetjen e Bashkisë së Tiranës në projektet e saj për Terminalin e Autobusëve, për Terminalin e Trenit, si dhe për projekte të tjera.

Peterschmitt u ndal në financimin e 9 projekteve, me vlerë 95 milionë euro në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Njëkohësisht, ai theksoi se BERZH po punon për një paketë të re investimesh për vitin 2012, me një vlerë prej 80 milionë euro, në fushën e energjisë, të infrastrukturës nacionale dhe atë rurale, në sigurinë e digave, si dhe mbështetjen për projekte të Bashkisë së Tiranës.

a.q/NOA

KOMENTE