English

Debatojnë me fjalë, 19-vjeçari ekzekuton bashkëfshatarin me automatik

Kurbin, 24 nëntor 2011, NOA - Një 34 vjeçar është ekzekutuar me breshëri automatiku, mbrëmjen e të mërkurës, në fshatin Skuraj të rrethit të Kurbinit, raporton korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.al.

Kastriot Brozi u ekzekutua në qendër të fshatit me breshëri automatiku nga një bashkëfshatar i tij, identiteti i të cilit, nuk bëhet i ditur për arsye hetimi.

Sipas të dhënave paraprake mësohet se autori, ishte një i ri rreth të 19-ave.

Ai kishte debatuar me viktimën dje rreth mesditës, dhe ishin përplasur rishtas në qendër të fshatit, me fjalë të rënda.

Por, ende nuk dihen arsyet e debatit mes 34-vjeçarit Brozi dhe autorit të vrasjes 19-vjeçar.

I riu duket se është ofenduar nga bashkëfshatari i tij, duke shkrehur automatikun mbi 34-vjeçarin Kastriot Brozi.

Pasi e ka lënë të vdekur me disa plumba në trup, autori i vrasjes është larguar menjëherë nga vendngjarja i ndihmuar edhe nga terreni i thyer e malor i fshatit.

Policia rajonale ka nisur operacionin për kapjen e tij dhe zbardhjen e rrethanave të vrasjes.

mit/NOA

KOMENTE