English

Djali i Ruçit lihet i lirë, i Xhuvanit në inspektim të imtësishëm

Tiranë, 23 nëntor 2011, NOA- Drejtësia shqiptare ditën e sotme ka marrë dy vendime për dy të rinj të ndjekur penalisht, ku njërit i është rikthyer liria e tjetri do hetohet edhe më imtësisht.

Në pamje të parë nuk ka asgjë të pazakontë, pasi ngjarje të tilla, arrestime e lirime ndodhin përditë, por këta të rinj mbajnë pas vetes edhe dy mbiemra të njohur në politikën shqiptare.

Bëhet fjalë për djalin e kryetari të grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi dhe atë të deputetes po të kësaj partie, njëherësh aktorja e njohur Luiza Xhuvani.

Djali i socialistit të vjetër Gramoz Ruçi, Ledian Ruçi është lënë i lirë nga gjykata, pasi tre ditë më parë u përfshi në një aksident në kryeqytet ku si pasojë gjeti vdekjen një 27-vjeçare.

Siça raporton agjencia e lajmeve NOA.al, seanca e rrallë gjyqësore që dha vendimin për të u zhvillua në Spitalin Ushtarak, ku prej disa ditësh qëndrojnë të shtruar për shkak të plagëve të marra, Ledian Ruçi dhe Edi Lika.

Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për “detyrim paraqitje” për Ruçin, ndërsa ka vendosur “arrest me burg” për drejtuesin tjetër të makinës, Edi Likën, nën argumentin se nuk ka respektuar semaforin.

Aksidenti ndodhi 3 ditë më parë, në kryqezimin e Bulevardit “Bajram Curri” me Rrugën e Elbasanit, ku automjeti tip “Mini Cooper”, me targa CG 832 SC, drejtuar nga shtetasi Edi Lika është përplasur me automjetin tip “ BMV X6”, me targa IKY3939, drejtuar nga Ledian Ruçi.

Si pasojë,u plagosën gjithashtu edhe Pinellopi Rafti 18 vjeç dhe Brunilda Pinderi 27 vjeç, ku kjo e fundit pas disa orësh në ndërroi jetë.

Ndërkaq Kostandin Xhuvani, i biri i të zgjedhurës së socialistëve Luiza Xhuvani i dënuar me dy vite burgim, për veprën penale të vrasjes do të hetohet imtësisht.

Në një komunikim zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë dhe të vetë ministrit Eduard Halimi ndaj, Xhuvanit është kërkuar inspektim urgjent i dosjes së tij.

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka urdhëruar inspektimin e menjëhershëm mbi dosjen e dënimit të djalit të deputetes socialiste Luiza Xhuvani, Kostandin Xhuvanit. Gjykata e Tiranës dënoi me 2 vite burg Kostanidin Xhuvanin, i akuzuar për vrasje ndërsa siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se do të bëhet inspektimi mbi ecurinë e politikës penale në veçanti dhe politikës së dënimit të ndjekur nga organi i prokurorisë në rastin konkret.

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka urdhëruar inspektimin urgjent dhe kontrollin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Penal Tiranë lidhur me procedimin penal nr. 597 i vitit 2011 ndaj të pandehurve Kostandin Xhuvani dhe Albi Zela.

Ky urdhër për kontrollin dhe inspektimin e imtësishëm të dosjes së Kostandin Xhuvanit argumentohet me fjalët, me ecurinë e politikës penale në veçanti dhe politikës së dënimit të ndjekur nga organi i prokurorisë në rastin konkret, si dhe inspektimin e parimeve të drejtësisë dhe barazisë në marrëdhënie me subjektet e tjera të procedimit penal. Ushtrim i inspektimit për kontrollin e ligjshmërisë do të kryhet edhe në Gjykatën e Tiranës me qëllim verifikimin e çdo veprimi procedural nga depozitimi dhe dhënia e vendimit përfundimtar. Sakaq theksohet se Ministria e Drejtësisë konkluzionet, pas përfundimit të kontrollit, do t’ia njoftoj Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës. Kostandin Xhuvani u dorëzua në polici në muajin maj pas afro 3 muaj arratie, për vrasjen e kryer në mesin e muajit shkurt. Ka qenë data 12 shkurt, kur Kostandin Xhuvani pas një grindje mes shokësh në një banesë në rrugën “Ali Visha” ka qëlluar me pistoletë 26-vjeçarin Alfred Musabelliu, duke i shkaktuar atij vdekjen. Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është dënuar me 14 muaj dhe Albi Zela, i cili akuzohej për “moskallëzim krimit”.

a.y/NOA

KOMENTE