Gjirokastër, 24 nëntor 2011, NOA – Një sasi droge e blerë në Lazarat në pako të vogla, për t’u trafikuar mandej në Itali është sekuestruar në Gjirokastër në orët e para të mëngjesit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar bashkë me pesë pako marijuanë, një shtetas nga Tirana, i cili, për t’i shpëtuar kontrollit të policisë do të blinte disa herë radhazi sasi të vogla lënde narkotike, duke e grumbulluar në Tiranë e më pas do ta trafikonte për në Itali.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative, blutë e antidrogës në Gjirokastër kanë ndaluar një shtetas nga Tirana, që kishte blerë në fshatin Lazarat një sasi lënde narkotike dhe po lëvizte në drejtim të kryeqytetit me një automjet me targa të huaja.
Aksioni është finalizuar rreth orës 04.30 të mëngjesit në vendin e quajtur “Ish-Adi Petroli”, në aksin rrugor Gjirokastër- Tepelenë në dalje të qytetit Gjirokastër.
Pasi kanë evidentuar makinën e dyshimtë policia ndaloi dhe kontrolloi në automjetin tip Renault me targa italiane CZ 339 BR, që drejtohej nga shtetasi Redjan Luri, i datëlindjes 1986, lindur dhe banues në Tiranë, ku poshtë sediljes së pasme u konstatuan 5 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, dhe brenda tyre kishte lëndë narkotike marijuanë.
Policia e Gjirokastrës arrestoi 25-vjeçarin Redjan Luri lindur dhe banues në Tiranë, i cili akuzohet për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
mit/NOA