Tiranë, 24 nëntor 2011, NOA - Korporata Elektroenergjetike Shqiptare përgënjeshtroi sot deklaratat e përfaqësuesve të CEZ Shpërndarje, duke deklaruar se borxhi i saj është afro 58 milionë euro dhe jo i trashëguar, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Korporata Energjitike Shqiptare në një komunikatë për mediat sqaron opinionin publik se borxhi bashkë me kamatvonesat kap vlerën e rreth 58 milionë eurove, një debit ky që sipas KESH-it njihet nga CEZ Shpërndarje.
Ky borxh bën me dije KESH-i është krijuar duke filluar nga muaji dhjetor i vitit 2010 e në vijim, pra nuk është i trashëguar.
“CEZ Shpërndarje ka 12 muaj, që nuk i paguan KESH-it energjinë, që ai e furnizon dhe që më pas, iu kalon konsumatorëve. Si pasojë e këtyre detyrimeve të papaguara, të cilat CEZ Shpërndarje duhet t’i kishte paguar në bazë të kontratës, që ka me KESH-in, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ndodhet aktualisht në vështirësi financiare”, deklaron KESH-i.
Sipas KESH-it, CEZ Shpërndarje po importon aktualisht energji, duke përdorur 45 milionë euro overdrafte, që i ka marrë për të garantuar burimet për blerjen e energjisë elektrike dhe për të furnizuar pa ndërprerje konsumatorët.
“I vetmi klient, që KESH ka është CEZ Shpërndarje dhe si rrjedhim, shlyerja e detyrimeve nga CEZ është e një rëndësie jetike për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare”, thotë KESH-i.
Gjithashtu në deklaratën e publikuar thuhet se CEZ Shpërndarje nuk ka bërë një planifikim të konsumit të energjisë mbi bazën e statistikave shumëvjeçare, siç e kërkon modeli i tregut.
Në këtë suazë, mësohet se në fillim të këtij viti që po mbyllet, CEZ kërkoi një konsum vjetor të energjisë për të furnizuar vendin prej 4.3 miliardë kilovat orë.
Deri tani sasia e energjisë, që KESH ka furnizuar CEZ-in, është 5.2 miliardë kilovat orë, pra, 900 milionë kilovat orë shtesë dhe mbi planifikimin fillestar.
KESH nënvizon se justifikimi i dhënë nga CEZ Shpërndarje për pamundësi për të paguar borxhet ndaj KESH, është i një mentaliteti mesjetar.
“KESH, ashtu si edhe CEZ Shpërndarje janë kompani, që funksionojnë në bazë të kontratave të vendosura me mirëkuptim të përbashkët dhe në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar dhe si të tilla, ato janë të detyruara për t`u respektuar nga të dyja palët”, deklaron Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
mit/NOA