Nga Arjan Vasjari
Përveç sintaksës sibiline të Edi Palokës “Leskaj është i mirë por, vendos Partia”, mazhoranca nuk ka lënë asnjë hamendësim sesi mund të shprehet për dekretin e presidentit Topi lidhur me kreun e KLSH-së. Edhe kafja teatrale e kreut të deputetëve të mazhorancës, Patozi, me kandidatin për kreun e institucionit suprem të kontrollit, nuk thotë ndonjë gjë më të qartë. Ndërkohë, kryetari i socialistëve nuk la vend për asnjë negociatë të mundshme rreth emrit: “Nuk plotëson asnjë kriter për t’u marrë seriozisht në konsideratë prej nesh”.
Ka shumë faktorë që e nxjerrin nga formati i të zakonshmes, debatin mbi kreun e ardhshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është padyshim ”intriga” politike e ndërtuar mjeshtërisht prej kreut të shtetit; është pastaj, ngarkesa delikate që bart në vetvete institucioni në fjalë; është konteksti politik që kërkon ekuilibër dhe në fund, është përgjegjësia që duhet të marrin palët qoftë mbi procedurën, qoftë mbi profilin e kandidatit. Duke përjashtuar faktorin e fundit, te gjithë të tjerët fabula është përgjithësisht e qartë. Kështu, Presidenti ka zgjedhur t’i imponohet shumicës me një “emër nga të sajtë”; aktualisht, Kontrolli i Lartë i Shtetit ngelet institucioni i vetëm i besueshëm prej opozitës; konsensusi i para pak ditëve e bën thuajse të pamundur, një sjellje unilaterale. Në këto kushte, e paqartë ngelet vetëm pika e katërt, pra, ideja që palët kanë rreth kritereve për të shkuar tek emri. Madje, për të qenë më të saktë, për të shkuar te procedura. Në këtë kuptim, ideja rreth procedurës, sipas të gjitha gjasave, do të shndërrohet në një betejë parimore mes dy kampeve mbi mënyrën sesi ato konceptojnë standardin e institucioneve kushtetuese.
Mbase, në pozicionin e opozitës ndaj dekretit, mund të mos ketë asgjë parimore në thelb por, së paku, ka padyshim standarde. Duke filluar që me Dekalogun, qëndrimet e zotit Rama mbi krerët e institucioneve kushtetuese nuk kanë pësuar asnjë milimetër devijim. Politikisht lakonik, korrekt, koherent, ai u ka imponuar të gjithëve një perimetër të qartë kriteresh, jashtë të cilit mbetesh automatikisht si anti-institucional. Është saktësisht i tillë edhe në qëndrimin ndaj dekretit të Presidentit të Republikës për kreun e KLSH-së. Dy kushtet e tij janë të pakontestueshme: kandidat jopartiak dhe me katedër profesionale.
Po mazhoranca ku gjendet? Hë për hë askush nuk e di se ku gjendet, por të jep përshtypjen se nuk gjendet brenda atij “perimetrit”. Nëse gjendet rastësisht aty, duhet të flasë pa vonesë. Pa u shqetësuar prej faktit se do të ndante të njëjtin qëndrim politik me palën kundërshtare mbi dekretin e kreut të shtetit; pa u kompleksuar nga përplasja pambarim me institucionin e Presidentit të Republikës dhe pa frikën qesharake të rrjedhjes së votave brenda saj. Në të tre rastet, mazhoranca vetëm fiton politikisht. Në rastin e parë provon se në konsensusin e datës 16 ajo ka shkuar si një palë e sinqertë me intencionin për të gjetur pika takimi me opozitën. Në të dytin, dëshmon se oponenca institucionale ndaj kreut të shtetit nuk është hakmarrje e verbër politike, por respekt ndaj disa parimeve. Dhe në rastin e tretë, do të distanconte institucionin politik të mazhorancës nga institucioni moral i disa të zgjedhurve të saj.
Është vërtet e pakuptueshme kjo paqartësi në qëndrimet e mazhorancës rreth dekretit të presidentit Topi për kreun e KLSH-së. Në rastin e Sali Shehut, qëndrimet e saj politike kundër tij filluan të vizatoheshin kur emri ishte ende një histori tavolinash. Tani, kur emri i ri është materializuar në trajtë dekreti, ka vetëm heshtje. Mundet që mazhoranca ka vendosur ta miratojë dhe është në të drejtën e saj legjitime ta bëjë këtë. Mundet! Vetëm se, nëse ka vendosur ta miratojë, e ka detyrim publik të përgjigjet se ku i sheh ajo ndryshimet mes Sali Shehut dhe Bujar Leskajt. Shumë e vështirë është kjo përgjigje, por mazhorancës i takon ta japë.
"Mapo"