Tiranë, 24 nëntor 2011, NOA/Update – Mazhoranca dhe opozita kuvendore miratojnë me konsensus ndryshimet në kodin ajror të Republikës së Shqipërisë.
Ligji ka marrë 199 vota, ndërsa ligji “Për sektorin e energjisë elektrike, të ndryshuar”, është shtyrë për nesër, kur pritet edhe seanca maratonë për miratimin e projektbuxhetit 2012.
Kryetari i grupit kuvendor të PS-së Gramoz Ruçi ka përshëndetur vullnetin politik të të dyja palëve. “Në seancë pati akuza të ndërsjellta se janë bërë lobime nga kompanitë ajrore. Të gjitha ato akuza që hodhët ndaj nesh unë duhet të them atëherë lobimet ku janë bërë tek kryeministri që mungon apo, tek ministri i financave. Pra. të vijnë të lobuarit këtu”, tha Ruçi. Por, demokrati Astrit Patozi akuzoi të majtët se herë pas here kthehen në qëndrimin e kushtëzuar ndaj parlamentit. “Dua t`i kujtoj kolegëve që nuk testohet mazhoranca me ligjin e energjisë por me buxhetin që është nesër dhe ju keni një mundësi ta tenstoni nesër mazhorancën”, ka theksuar Patozi.
Kuvend, nesër debati për buxhetin 2012
Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 do të diskutohet në parim, gjatë seancës së posaçme plenare, e cila është parashikuar të zhvillohet të premten.
Projekti financiar i qeverisë mbërrin në Kuvend pas dy javësh diskutimi në komisionet kuvendore, ku është kritikuar nga opozita.
Ministri i Financave, Ridvan Bode ditë më parë deklaroi se p/buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %. a.q/NOA