Mitrovicë, 24 nëntor 2011, NOA – Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në pjesën veriore të Mitrovicës, në orët e vona pas mesnatës, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Mediat vendase bëjnë me dije se gjatë shpërthimit të ndodhur në lagjen pranë “Tre rrokaqiejve” një lagje e banuar nga shqiptarë, janë dëmtuar disa makina, ndërkohë nuk raportohet për të lënduar.
Po kështu, mediat serbe njoftojnë se ushtarët e KFOR-i nuk mundën dot të heqin një barrikadë serbe në Zveçan, pas përplasjes me serbët e tubuar në mbrojtje të saj.
Sipas mediave ushtarët e KFOR-it janë tërhequr gjatë natës nga barrikada në Kërshin e Dudit, nën gjuajtjet me gurë nga ana e serbëve.
Pas largimit të KFOR-it, serbët e kanë përforcuar me kamionë me zhavorr barrikadën në këtë rrugë të veriut të Kosovës.
mit/NOA