Kajro, 24 nëntor 2011, NOA – Të paktën 30 persona të vrarë është bilanci tragjik i deritanishëm, i shënuar në përplasjet e ditëve të fundit në sheshin e famshëm Tahrir në qendër të Kajros, mes forcave të ushtrisë egjiptiane dhe protestuesve, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Këtë fakt e ka bërë publik vetë ministria e Shëndetësisë.
Edhe nata e shkuar ishte një tjetër natë e dhunshme në sheshin e revolucionit, i kthyer për së dyti, në arenën e protestave, këtë herë kundër Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura.
Edhe pse ushtarakët ofruan kalimin e procesit të transferimit të pushtetit tek autoritetet civile, demonstratat popullore kanë vazhduar në rrugët e Kajros, duke shënuar qindra të plagosur.
Mijëra vetë kanë dalë në sheshin simbol të revoltës, ndërsa ushtria i ka kërkuar ndjesë popullit për viktimat.
Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura përmes një komunikate të publikuar në Facebook, shprehu dhimbjen dhe kërkoi ndjesë për vdekjen e martirëve të rënë gjatë përleshjeve të ditëve të fundit, në sheshin Tahrir të Kajros.
Ndërkohë mësohet se në protesta nuk po marrin pjesë përfaqësuesit e një grupimi të njohur si “Vëllezërit Muslimanë egjiptianë”.
Sipas mediave, pjesëmarrja e tyre në protestat kundër juntës ushtarake do të shkaktonte një shpërthim dhe dalje nga binarët të dhunës e vandalizmit në vend.
Lajmin për mospjesëmarrjen e tyre e ka bërë publik një përfaqësues i kësaj lëvizjeje islamike përmes një komunikate për mediat, ku kuptohet edhe frika nga një grusht shteti kundër parimeve, që frymëzuan revolucionin e 25 janarit, që rrëzoi nga froni ish-presidentin egjiptian Hosni Mubarak.
Protestuesit egjiptianë kanë paralajmëruar një protestë të madhe për nesër, përpara mbajtjes së zgjedhjeve legjislative të lajmëruara për të hënën në 28 nëntor.
mit/NOA