English

Përvjetori i Pavarësisë, Obama i dërgon mesazh urimi Topit

Uashington, 24 nëntor 2011, NOA – Me rastin e përvjetorit të 99-të të Festës Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë ka mbërritur edhe mesazhi i parë i urimit, i cili vjen nga Presidenti amerikan Barack Obama, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Mesazhi i Presidentit Obama për Presidentin e Republikës Bamir Topi, është bërë publik në faqen zyrtare të Presidencës.

Në mesazh shefi i Shtëpisë së Bardhë shkruan se “Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, ju shpreh urimet më të mira për ju dhe popullin shqiptar”.

Mandej zoti Obama vlerëson marrëdhëniet diplomatike dypalëshe duke theksuar se në këtë vit të njëzetë të rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe diplomatike SHBA-të dhe Shqipëria festojnë miqësinë e fortë mes dy popujve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare, që qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë në Afganistan. Ne e kemi ruajtur përkushtimin tonë të përbashkët e të palëkundur për sigurinë dhe begatinë e Ballkanit. Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqimisht përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe presim ditën kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë integruar në një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe”, shkruan Presidenti amerikan, duke e përmbyllur mesazhin e tij për përvjetorin e pavarësisë së vendit.

mit/NOA

KOMENTE