Tiranë, 24 nëntor 2011, NOA - Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe drejtori menaxherial në zyrën e zv. presidentit të bankingut të BERZH, Jean-Marc Peterschmitt nënshkruan sot marrëveshjen prej 125 milionë eurosh për ndërtimin e Bypass-it të Fierit dhe Vlorës. Ministri Bode bëri të ditur se të dyja kreditë për ndërtimin e Bypass-eve kapin vlerën e 125 milionë eurove dhe do të shlyhen për një afat kohor prej 15 vjetësh. Sipas ministrit Bode, kreditë nuk rëndojnë koston e borxhit të vendit. “Të dyja kreditë kapin një vlerë prej 125 milionë euro, nga të cilat 18 milionë janë në grant. Janë kredi zhvillimi me një afat-15 vjeçar, që i japin mundësi vendit që përfitimi i këtyre veprave ristrukturore në ekonomi të jetë maksimal dhe me kosto sa më të ulët”, tha ministri Bode. Bypass-i i Vlorës do të lidhë autostradën Levan - Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë. Kosto totale e parashikuar për ndërtimin e këtij aksi rrugor është afërsisht 49 milionë euro. Ai do të ketë formën e një autostrade interurbane, midis qytetit të Fierit dhe Levanit me gjatësi afërsisht 22 km. Kosto e parashikuar për ndërtimin e këtij by-passi është në vlerën 60 milionë euro dhe do të financohet nga kredia e BERZH-it, nëpërmjet transhit prej 35 milionë euro dhe kredia e BEI-t nëpërmjet transhit prej 35 milionë euro. a.q/NOA