Shkodër, 23 nëntor 2011, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë pasditen e sotme në qytetin e Shkodrës ku ka promovuar librin e tij “Kurban”.
Para të pranishmëve kreu i selisë rozë, ka thënë se ky libër është e vërteta e tij, një libër që tregon shumëçka nga një këndvështrim që nuk pretendon të jetë këndvështrimi i të vërtetës absolute. “E bukura e çdo historie të jetuar është se për të ka disa kënde të mundshme për të parë të vërtetën, ky libër është e vërteta ime. Dëshiroj ta ndaj me të tjerët të vërtetën time. Lavdi Zotit jetojmë në një kohë ku ka vend për shumë të vërteta”, është shprehur Rama para të pranishmëve.
Më tej Rama nënvizoi se ky nuk është një libër për të shkuarën, por për të ardhmen duke e parë në pasqyrën e së shkuarës. Sipas tij, e shkuara është një pasqyrë që vlen për të parë të ardhmen, një pasqyrë që i vlen një populli për të parë rrugën e tij drejt së ardhmes. Në përfundim kryesocialisti u shpreh: “Shpresoj që libri të vlejë për të kaluar disa orë të cilat nuk duhet të jenë të mërzitshme”.
a.y/NOA