Australi, 24 nëntor NOA - Policia australiane ka ndalur një person që ka lidhje me çështjen e gjetjes së një valixhe të mbushur plot e përlot me para në një restorant italian në Sydney. Një djalë rreth moshës 30-vjeçare i veshur me kanotierë dhe pantallona të shkurtra ishte futur në ambientet e Cafe Marco dhe pas pak ishte larguar tepër i nervozuar duke lënë një valixhe e cila ishte e mbushur me kartëmonedha 50 dollarësh australiane, për një total prej një milionë të tilla (ekuivalente me pak a shumë sa 1 milionë dollarë). Zëdhënësi i policisë Chris Nash ka bërë të ditur se një i dyshuar është ndalur, por që aktualisht ndodhet i shtruar në spital për një problem shëndetësor jo shumë mirë të specifikuar dhe duhet të presin që ai të marrë veten. Nash nuk ka bërë të ditur nëse valixhja është e personit në fjalë. Në një rast të tillë do ti rikthehet të zotit, ndërsa në të kundërt nëse ajo lidhet me një rast krimi atëherë pyetjet do të jenë të shumta në drejtim të të dyshuarit për të zbuluar të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje. r.b/NOA