English

Vox politicus apo Vox populi

Nga Artan Lame

Siç e dimë të gjithë, Godina e Piramidës u ndërtua në periudhën 1986-1988 për të shërbyer si Muzeum i jetës së Diktatorit Enver Hoxha, funksion të cilin kreu vetëm për dy vjet 1988-1990, duke qenë kështu muzeu më jetëshkurtër në historinë e botës. Pas vitit 1990 dhe ndryshimeve demokratike në vend, ai u mbyll dhe më pas iu ndërrua destinacioni. Kjo godinë nga pikëpamja arkitektonike është konsideruar si arritja më e madhe e arkitekturës shqiptare të periudhës përmbyllëse të epokës Socialiste. Kjo për shkak të zgjidhjes arkitektonike, teknikave ndërtimore dhe konstruktive të aplikuara, materialeve të përdorura, e kështu me radhë.

Për herë të parë, Godina e Piramidës ka marrë mbrojtje nga ana e Shtetit si pasuri kulturore, nëpërmjet VKM 180 datë 13.04.2000 për “Shpalljen Ansambël Monument Kulture të aksit kryesor dhe Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës”. Kjo VKM, duke shpallur kufijtë e “Ansamblit Monument Kulture” nga Universiteti deri në Stacionin e Trenit, e përfshinte edhe Piramidën brenda kufijve të vet. Në një nga pikat e tij, Vendimi linte detyrë Ministrit të Kulturës të bënte shpalljen zë për zë të objekteve përbërës së Ansamblit dhe projektin e restaurimit të tij.

Arsyeja kryesore që çoi në marrjen e këtij vendimi, pra për shpalljen e të gjithë këtij Ansambli nën mbrojtje, është fakti se ky aks përmbledh brenda vetes vepra përfaqësuese dhe tipike të të gjitha epokave, duke filluar që nga sundimi osman e deri në ditët tona. Këtu mund të përmenden periudha osmane (Xhamia e Et’hem beut dhe Kulla e Sahatit), të periudhës së Republikës I (Parlamenti i vjetër, sot Teatri i Kukullave), të Kohës së Monarkisë (Kompleksi i Ministrive), të kohës së Pushtimit Italian (Banka, Kryeministria, kompleksi i Sheshit Nënë Tereza), të epokës sovjetike (Komiteti Qendror, Presidenca), të periudhës Totalitare (Piramida, Pallati i Kongreseve). Më pas detyra e lënë nga VKM 180 datë 13.04.2000, u zbatua me Urdhrin nr. 122 datë 05.03.2007 i Ministrit të Turizmit, Rinisë dhe Sporteve “Për Shpalljen Monument Kulture të Kategorisë së Dytë të Ndërtesave në Aksin Kryesor të Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës”.

Ky urdhër, duke bërë shpalljen emër për emër të këtyre objekteve, hartoi edhe pasaportat e tyre, mënyrën e mbrojtjes, të restaurimit, e kështu me radhë; dokumente këto të përgatitura pas ekspertizës teknike të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Do të dëshiroja të sillja në vëmendje tani se si filloi “kalvari” i Piramidës, nga monument kulture në objekt për t’u shkatërruar. Më 25 shtator 2010, në shtypin e përditshëm u botua një shkrim i publicistit Blendi Fevziu “PIRAMIDE APO PARLAMENT”. Shkrimi hidhte idenë e prishjes së Piramidës dhe ndërtimin në vend të saj të godinës së re të Parlamentit. Vetëm pak ditë më pas, Kryeministri Sali Berisha deklaroi publikisht vullnetin e tij për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin në vend të saj të Ndërtesës së re të Parlamentit. Nuk më takon mua të hartoj teori konspirative, por lidhja duket qartë. Në vijim të kësaj, Kuvendi i Shqipërisë, vetëm me votat e shumicës miratoi Vendimin nr. 66 datë 21.10.2010 për “Ndërtimin e Kompleksit të Ri Parlamentar”, i cili në pikën 1 vendos: “I. Ndërtimin e Kompleksit të ri Parlamentar në vendin ku ndodhet Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori” në Tiranë…

Kjo çështje, si rrallë ndonjëherë në Shqipëri, ia ka dalë të bashkojë njerëz dhe përfaqësues përtej dasive politike dhe ka parë mobilizim gati të përgjithshëm. Është e domosdoshme të kujtojmë se në fund të fundit, përtej “vox politicus” kemi dhe duhet të dëgjojmë edhe “vox populi”. Jo më larg se dje, Ambasadorja Britanike deklaroi: “Në rastin e Ligjit të plehrave qeveria nuk dëgjoi zërin e publikut”.

Kushtetuta e Shqipërisë e vendos trashëgiminë kombëtare që në Nenin 3 të saj, si një nga bazat e Republikës, duke thënë: “Neni 3 – Pavarësia e shtetit … etj., etj., … identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza të këtij shteti, të cilat ai ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.

Ky detyrim është vënë me këtë prioritet, pasi trashëgimia është një nga elementet themelorë që i shërbejnë formimit dhe formatimit të një kombi, përbën kujtesën e tij historike, pa të cilën as që mund të mendohet mbijetesa e tij.

Në raport me pasuritë e tjera të një shteti, pasuritë kulturore kanë një veçori që i bën ato kategori më vete. Kjo veçori është fakti i unicitetit të tyre dhe papërsëritshmërisë së tyre. Ato janë dëshmi të një epoke apo momenti historik të caktuar dhe si të tilla janë dëshmi të patjetërsueshme.

Pas dy muajsh, shqiptarët hyjnë në vitin e 100 të shtetit të tyre. Në vitin 1926, vetëm 14 pas shpalljes së Pavarësisë, Kryetari i Bashkisë Vlorë mori vendimin për prishjen e shtëpisë së pavarësisë me arsyetimin e ndërtimit të një parku. Kanë kaluar 85 vjet që atëherë dhe ende Vlora nuk ja ka falur atij dhe trashëgimtarëve të tij që njihen në qytet si “ata që shkatërruan shtëpinë e Pavarësisë”. E njëjta gjë mund të thuhet me rastin e hedhjes në erë të Bashkisë të vjetër të Tiranës në vitin 1980, për t’i bërë vend ndërtimit të Muzeut Historik Kombëtar. Kanë kaluar 30 vjet që atëherë, por sa herë që bie rasti, ky fakt numërohet si një nga krimet urbanistike të regjimit që lamë pas. Pikërisht këto ditë gjenden në Tiranë dy studiues zviceranë, që po shkruajnë një libër me titull “UTOPIA“. Thelbi i librit të tyre është Bulevardi i Tiranës, me gjithë ndërtimet e veta si shprehje nga më sinjifikativet në rang Evropian. Më tej pastaj, në kuadër të këtij bulevardi, ata veçojnë dhe analizojnë Piramidën, si shprehje dhe simbol të një utopie ideologjike e sociale që nuk u arrit.

Dhe tani do të duhet t’u themi atyre se mbarojeni librin sa më shpejt, sepse bash këtë simbol ne do ta zhdukim!

"Shekulli"

KOMENTE
  • Anizel14:41 - 24 Nëntor 2011
    livalu Ligor Luarasi ...më pëlqejnë komentet dhe analiza e gjërave që ju bëni....sa do doja të kishte reflektime të tilla nga të gjithë....por janë shumë pak :( :( respekte..
  • livalu Ligor Luarasi14:26 - 24 Nëntor 2011
    SA HERE S'E KANE DEGJUAR POPULLIN TIM? Nga gjithe ky shkrim fjalia qe me shqetesoi mbi te gjitha fjalite e tjera ishte e Ambasadores Britanike:S'u degjua zeri i popullit.Kjo jo vetem s'me pelqen,por kur shoh ne retrospektive jeten e popullit tim mjeran,pyes veten:Sa here ketij populli s'i eshte degjuar zeri prej vitit 1941 deri sot?kjo me tmeron.Rikuitoj gjithe ato skena historije,realizuar ne ekrane cilesore per fuqine,terbimin,e fukarenjve qe vuajne dhe sa te pa permbajtur,te egersuar behen turmat qe durojne prej kohesh dhimbje dhe varferi,prej nga me vjen konkluzioni:Me popullin s'behen shakara,lodra o teka apo kaprico nga me te ndryshmet,ato kane nje kufi.Shohim c'do muaj si e qysh perfundojne diktatoret bashkekohore dhe me shume me ritet nje shqetesim i jashtezakonte duke menduar: ende ne shekullin tone paska te tille diktatore apo hipokrite,qe e vjedhin popullin ,por te cilet edhe pse dijne ta dredhin vjen casti qe perfundojne shume keq.