English

Berisha: Buxheti më i mirë për qytetarët, opozita me sindromën e tunelit

Tiranë, 25 nëntor 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar buxhetin e vitit 2012 si më të mirin për qytetarët. Ai u shpreh se vendi ka arritur suksese, në kohën që ekonomitë e vendeve të zhvilluara ka pësuar rënie. “Këto nuk ishin vitet më të mira të ekonomisë evropiane. Këto ishin vitet më të vështira, që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, vite ku rrudhja ekonomike njohu përmasa të frikshme. Ekonomia shqiptare u dëshmua me qëndresë”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha u shpreh se rritja e të ardhurave vjen së pari nga puna e qytetarëve, por edhe nga reformat e qeverisë. “Kjo është një ditë e shënuar për të ardhurat e çdo familje në Shqipëri. Shqiptarët duhet të ndjehen të kënaqur sepse falë mundit dhe djersës së tyre, punës dhe përkushtimit të shkëlqyer të tyre, shpirtit të tyre të sakrificës dhe reformave të mazhorancës, ja dolën që në një hark kohor 6-vjeçar të inkasojnë në buxhetin e tyre rreth 8 miliardë dollarë më shumë”, tha Berisha.

Në fjalën e tij Berisha ka komentuar dhe ndërhyrjet e deputetëve të mazhorancës që vinin nga salla gjatë kohës që ai fliste. “Unë e kuptoj që ju e kini ditën më të vështirë të vitit, por uroj të duroni, sepse po më shtyni të dal nga fjalimi”, tha ai. Berisha theksuar se një vit më parë opozita bërë kundërshtimin e ndërtimit të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan. “U përpoqa t’u shëroja nga sindorma e tunelit, përdora gjithë aftësitë e mia mediko-psikologjike, por qe e pamundur”, tha Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE