Tiranë, 25 nëntor 2011, NOA – Diplomacia shqiptare ka reaguar pas dhunës së regjistruar në veri të Kosovës ku 21 ushtarë të NATO-s dhe disa shtetas serb janë plagosur. Në një deklaratë për shtyp, MPJ thekson se ndjek me shqetësim të veçantë situatën në veri të Kosovës dhe dënon ashpër dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe kundër trupave të KFOR-it në fshatin Rudarë.
“MPJ përshëndet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj dhe vendosjen e rendit e ligjit në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in.
Është e rëndësishme të zbatohen marrëveshjet e 5 gushtit dhe 2 shtatorit të këtij viti. Gjithashtu është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të flasë me një zë për të treguar vendosmëri që të nxjerrë para drejtësisë autorët e dhunës dhe mbështetësve të tyre”, thuhet në deklaratën e sotme.
Sipas diplomacisë shqiptare, akte të tilla dhune, vetëm pak orë pas përfundimit të raundit të radhës të dialogut Kosovë-Serbi, deklaratat destruktive nga njerëz të veshur me pushtet dhe mbajtja e mbështetja e strukturave paralele e bandave kriminale, nuk janë rruga e duhur për të ecur drejt paqes e stabilitetit në rajon, si dhe integrimit europian.
a.q/NOA