Tiranë, 24 nëntor 2011, NOA- Konsensusi i arritur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe votimet e ligjeve me 3/5, nesër ka testin e radhës.
Projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 do të diskutohet në parim, gjatë seancës së posaçme plenare, e cila është parashikuar të zhvillohet nesër. Projekti financiar i qeverisë mbërrin në Kuvend pas dy javësh diskutimi në komisionet kuvendore, ku është kritikuar nga opozita dhe është dhënë vota kundër. Ministri i Financave, Ridvan Bode ditë më parë deklaroi se p/buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %. Ndërkohë Komisioni i Ekonomisë e miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2012, ku sipas palës qeveritare, ky buxhet parashikon rritjen e të ardhurave në nivelin e 8% për vitin e ardhshëm.
Ndërsa deputetët e PS-së nuk e votuan buxhetin me arsyetimin se ai nuk do të mbështesë rritjen ekonomike. Nga ana tjetër ata e cilësuan ndarjen e bërë në buxhet qesharake, duke i quajtur krejt të pamjaftueshme fondet e lëna për ish të përndjekurit apo ish pronarët. Sipas socialistëve me buxhetet e lëna në dispozicion ministrat nuk janë në gjendje të përmbushin objektivat duke shtuar se ata janë kundër këtij buxheti dhe rishpërndarjes së fondeve.
PS e PD pro Kodit Ajror
Mazhoranca dhe opozita kuvendore miratuan në seancën e sotme parlamentare me konsensus ndryshimet në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë. Ligji ka marrë 199 vota, ndërsa ligji “Për sektorin e energjisë elektrike, të ndryshuar”, është shtyrë për nesër.
P/ligji "Për energjinë" realizon hapjen dhe liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri.
Ndonëse u nis fillimisht me debat votimi i Kodit Ajror, ashtu si së fundmi kishin rënë dakord PS e PD bashkuan votat dhe i dhanë “OK” ndryshimeve në ligjin për Kodin Ajror. Kryetari i grupit kuvendor të PS-së Gramoz Ruçi ka përshëndetur vullnetin politik të të dyja palëve. “Në seancë pati akuza të ndërsjellta se janë bërë lobime nga kompanitë ajrore. Të gjitha ato akuza që hodhët ndaj nesh unë duhet të them atëherë lobimet ku janë bërë tek Kryeministri që mungon apo, tek Ministri i Financave. Pra, të vijnë të lobuarit këtu”, tha Ruçi. Por, demokrati Astrit Patozi akuzoi të majtët se herë pas here kthehen në qëndrimin e kushtëzuar ndaj parlamentit. “Dua t`i kujtoj kolegëve që nuk testohet mazhoranca me ligjin e energjisë por me buxhetin që është nesër dhe ju keni një mundësi ta testoni nesër mazhorancën”, ka theksuar Patozi.
a.y/NOA