English

Kuvend, nis diskutimi i Buxhetit 2012

Tiranë, 25 nëntor 2011, NOA - Ka nisur paraditen e sotme diskutimi në parim në Kuvend i buxhetit të vitit 2012. Seanca e posaçme për buxhetin pritet të diskutojë në parim të gjitha çështjet që lidhen me situatën ekonomike, shpërndarjen e të ardhurave, rritjen e taksave dhe kontrollin e borxhit publik. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho tha pas hapjes së seancës, se buxheti i vitit 2012 përmbush synimet e qeverisë dhe pritshmërinë ekonomike për vendin.

Projektbuxheti vjen në këtë seancë pas 2 javë diskutimesh në komisionet parlamentare, ku maxhoranca dhe opozita kanë debatuar për nivelin e borxhit publik dhe fondeve në dispozicion të institucioneve të ndryshëm.

Më herët Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar se projektbuxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.

Sipas qeverisë ky buxhet parashikon rritjen e të ardhurave për vitin e ardhshëm ndërsa opozita thekson se buxheti nuk do të mbështesë rritjen ekonomike.

Ndërkohë që opozita pritet të kundërshtojë pjesën më të madhe të buxhetit duke theksuar rëndësinë që ka ulja e borxhit ekonomik.

a.k/NOA

KOMENTE