English

Sheshi “Skënderbej”, replikojnë Berisha e Blushi

Tiranë, 25 nëntor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Pasi ka prerë shiritin e një biznesi privat në Tiranë, kryeministri Berisha është rikthyer në sallën e Kuvendit ku prej disa minutash po replikon me deputetë të opozitës për buxhetin e vitit 2012, i paraqitur nga qeveria për miratim.

Kryeministri akuzoi opozitën se po vjell vrer mbi buxhetin. Ai iu referua sheshit Skënderbej, ku sipas Berishës çdo taksë për gjelbërimin shkon për mbjelljen e pemëve. “ Qytetarëve të Tiranës u kushtoi 5 mijë dollarë një pemë me qeverisjen tuaj vendore. Mblidhnit taksën e gjelbërimit, por nuk thoni dot pyllëzuam Tiranën, këtë se thoni dot. Shko shikoje sheshin, mori drejtimin e zhvillimit jeshil. Juve më sulmuat mua kur citova Harri Poter, por tani z Blushi ç’do thoni që ju ka mbiu Kurbani tek dera”, tha Berisha.

Blushi: Dyqani i Saliut nuk taksohet

“Po flet për taksat, por si ka mundësi, vetëm dyqani i Saliut nuk taksohet. Sheshi është bërë mirë, arrij 5 min para në shtëpi, por nuk hyj dot tek Skënderbeu. Ku e keni Skënderbeun, e keni ngecur në një fushë sikur po ha bar. Madje dyshoj nëse Berisha hyn aty pa hequr dhe vetë këpucët”, iu përgjigj kryeministrit deputeti Blushi.

Berisha kundër opozitës për buxhetin

Duke reaguar ndaj deputetëve të PS-së në Kuvend të cilët e cilësuan buxhetin 2012 si gënjeshtër, kreu i qeverisë theksoi se buxheti ka në parim rritjen ekonomike. “Po thoni gënjeshtra. Po trilloni për buxhetin. Buxheti ka një parim për rritjen ekonomike. Ju thoni të kundërta dhe të pavërtetat më të mëdha për buxhetin”, tha kryeministri.

“Sot me fondin e rajoneve janë së paku 35 miliard lekë janë së paku 5 herë më shumë çfarë ju dhatë ju me pikatore qeverive vendore. Qeveritë vendore kanë taksën e plotë të biznesit të vogël”, tha Berisha.

a.q/NOA

KOMENTE