English

Vangjo i flamurit

Nga Artan Lame

Vangjo Ilo është i biri i Spiridon Ilos. Spiridon Ilo ka qenë një nga ata 40 burrat e vaktit, që kanë firmosur në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 të nëntorit 1912.

Gabova, prej disa ditësh edhe për Vangjon duhet të themi “ishte”. Një plak i urtë, me një të ecur të ngadaltë dhe të folur të saktë, si të gjithë ata funksionarët e dikurshëm të shtetit, racë tashmë e zhdukur në epokën digjitale, Vangjo ishte një minierë e vërtetë kujtimesh të së shkuarës.

Dy vjet të shkuara, teksa punonim me Beti Njumën mbi një dokumentar për Shpalljen e Pavarësisë, e kisha lënë të takohesha me Vangjon i cili ruante me fanatizëm letrat dhe dokumentet e të atit. Më kish kërkuar nja dy ditë kohë, sa të shfletonte dhe rifreskonte disa materiale nga ato të vjetrat, por kur i telefonova, pas përshëndetjeve, më tha se ende nuk i kish studiuar ato materialet sepse, ...prej dy ditësh nuk kishin drita në lagje. Mbeta pa fjalë pas dorezës së telefonit. Ati i tij, ai që kish firmosur tapinë e Shqipërisë, njëqind vjet më parë kish pasur dritë për ta bërë këtë në Shqipërinë e pandritur të kohës së Turqisë, ndërsa biri i tij njëqind vjet më pas, nuk kish dritë në shtëpi as sa për t’i lexuar veprat. M’u duk të kishim humbur kot një shekull të tërë.

Spiridon Ilo ishte një patriot i vjetër, nga ata të flaktit fare të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, shok e mik me Asdrenin e Pandeli Evangjelin. Kur në fillim të nëntorit 1912, Kolonia zgjodhi përfaqësonjësit për në Kuvendin e Pavarësisë, atë e zgjodhën në grupin e përfaqësuesve. Por jo vetëm kaq. Spiridoni kishte edhe një punishte shtypshkrimesh dhe, ndërsa përgatiteshin të niseshin për Shqipëri, përgatiti disa stampa me të cilat stampoi një numër flamujsh të kuq me shqiponjë të zezë. Nja dy syresh i mori me vete duke i mbështjellë në trup për të mos i diktuar nga doganierët turq në kufi. Natën që sosën në Vlorë bashkë me të tjerët, ai zgjodhi të bujtë në një familje gruan e të cilit, Marigo Pozion, e kishte kushërirë (nënat motra). Aty e nxori flamurin dhe e hekurosën. Pastaj, meqenëse duhet t’u jetë dukur shumë i varfër ai flamur, Marigoja për gjithë natën i qepi anëve një varg thekësh me fije të praruara. Marigoja ishte një nga ato gratë e lexuara dhe plot energji që, në Tiranën e sotme më e pakta do ish bërë deputete a ministre, por që në Vlorën e atëhershme më e shumta mund të fliste me zë disi të lartë me gratë e tjera të lagjes. Të nesërmen ai flamur përfundoi në duart e Ismail Qemal beut dhe bëri histori, duke u pleksur më pas më shumë me kushërirën që i qepi thekët, sesa me kushëririn fjalëpakë që e stampoi dhe e solli që prej së largu.

Por Spiridon Ilo nuk ka vënë vetëm firmën në Aktin e Pavarësisë dhe ka sjellë vetëm flamurin e saj nga Bukureshti. Ka bërë edhe më shumë. Në vitet e Luftës I Botërore, ai kish emigruar në Amerikë, ku kishte hapur një shtëpi diskografike, ku janë incizuar shumica e këngëve patriotike të kohës. Nga duart e tij ka dalë edhe regjistrimi më i vjetër që njihet i Këngës së Flamurit, të atij himni që sot na bën të ngrihemi në këmbë e të rrimë gatitu tek e dëgjojmë.

Vangjo, skrupuloz siç ishte, nuk harronte të telefononte asnjëherë për festa, Vit të Ri, shpallje Pavarësie dhe Bajram. Në kodin e tij unë isha mysliman dhe duhesha uruar për Bajram. Jam i bindur se të tjerë, katolikë a ortodoksë, i uronte sipas rastit për Pashkë. Nejse. Herën e fundit fola me të dy javë të shkuara, me rastin e Bajramit. Më telefonoi dhe me një zë të holluar nga sëmundja dhe të lodhur nga vitet, më uroi festën. Pastaj, teksa këmbenim ca fjalë, më tha me zë që i dridhej nga dëshpërimi i pafuqisë: “Artan, nuk e di nëse do ta arrij dot 100-vjetorin”, jo të vetin se as që i shkonte mendja, por 100-vjetorin e Shqipërisë. Ashtu shpejt e shpejt, iu përgjigja për t’i bërë qejfin, se bashkë do ta festonim edhe 100-vjetorin, ndaj t’i bënte hyzmet vetes. Psherëtiu, u përshëndetëm dhe mbylla telefonin. Nuk e dëgjova më. U nda nga kjo botë që ecte me tjetër shpejtësi, pa e arritur dot ëndrrën e tij të fundit.

I rikthehem edhe një herë atij dokumentarit të tre vjetëve më parë. Ndiqnim fatin e firmatarëve të Aktit të Pavarësisë që, si çdo gjë me vlerë ndër shqiptarë, nuk ishte aspak për t’u lakmuar, pasi midis tyre kishte të arrestuar e të dënuar, të arratisur e të pushkatuar. I fundmi i firmatarëve kishte vdekur diku në arrati në vitin 1970. Pastaj ndoqëm edhe fatin e bijve të tyre, që pak a shumë ndiqte fatin e etërve, por sidoqoftë në vitin 2009 mbeteshin gjallë ende vetëm tre, dy plaka të moçme dhe Vangjua i Spiridonit. Ndërkaq, në këta tri vjet, ato dy plakat e fisme u shuan dhe, i fundmi i bijve të firmatarëve, kishte mbetur Vangjo. Ndaj e kishte me aq merak atë të shkretë 100-vjetor, që sidoqoftë Zoti nuk desh që ta arrijë.

Ndoshta bëri mirë, se çdo t’i kishin parë sytë në atë ditën e 100-vjetorit, më 28 Nëntor 2012? Një kope politikanë, ministra e deputetë majë fuoristradave të stërshtrenjta duke nxituar drejt Vlorës, pa e pasur fare mendjen aty, por te celularët dhe pazaret. Pastaj, të mbërritur në Vlorë, do të ndërronin fytyrë dhe do të bënin sikur ishin seriozë dhe të menduar. Do të nxitonin mes turmës për të vënë nga një tufë lule të parapërgatitur nga sejmenët, atje te varri i Ismail Beut, tek ai varri, eshtrat e të cilit, njëri prej tyre kish përrallisur se do t’i sillte nga Italia 70 vjet pasi ato të preheshin aty. Do të rrinin gatitu sa të luhej himni me mendje nga kamerat që t’i merrnin sa më të prekur. Pastaj do të mbanin nga një fjalim për ditët e bukura që jetojmë, me në sfond ca posterë kuq e zi të bërë shpejt e shpejt me tender dhe, në fund, do të nxitonin të rimerrnin fuoristradat për Tiranë. Me t’u ulur në sedilje do të rivendosnin zilet e celularëve dhe do të rifillonin muhabetet e lëna përgjysmë për koncesione, emërime, tenderë e shitblerje, zgjedhje, formula e aleanca.

Udhët e Zotit nuk janë udhët tona. I Plotfuqishmi ia kurseu Vangjos këtë përdhosje të idealit të shenjtë, duke e çuar të pushojë pranë etërve të kombit që, 100 vjet më parë, i dhanë udhë një vepre që mbetet ndër më të lëvdueshmet që mund t’i qëllojnë njeriut në jetë: krijimit të një shteti.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE