Prishtinë, 25 nëntor 2011, NOA - Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke folur rreth mundësisë së shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale për në vitin 2013, deklaroi se për Kosovën është i domosdoshëm organizimi sa më i mirë i zgjedhjeve parlamentare. Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Selimi theksoi se “dorëheqja e qeverisë dhe shpallja sa më e shpejtë e zgjedhjeve parlamentare shpëtojnë Kosovën”. “Grupi parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje nuk e votoi këtë marrëveshje, pra e kemi bojkotuar seancën kur është votuar kjo marrëveshje, sepse atë ditë ka ndodhur një tregti politike, të cilën e kanë bërë Thaçi, Mustafa e Pacolli”, është shprehur Selimi, duke kërkuar nga Komisioni për Reforma Kushtetuese e Zgjedhore ta kryejë punën e vet. Ndërkaq, duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, deputeti i Vetëvendosje-s theksoi se askush nuk ka të drejtë të bëjë tregti me tokat shqiptare.
a.q/NOA